Dy vite nga vrasja me plumb në gojë e Endri Mustafës në Shkodër, prokuroria e këtij qyteti ka vendosur ti komunikojë Ibrahim Licit akuzën e “Vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit”.
Prej muajit Maj 2021, Lici rezulton të jetë shpallur në kërkim nga policia, si i autor i dyshuar i vrasjes së Mustafës, ngjarje kjo e ndodhur në zonën “Livadhe” në Shkodër. Lici ka disa kohë që qëndron në Turqi, duke lëvizur lirshëm në këtë vend.
Por tashmë prokurorët e Shkodrës, kanë ngritur akuzën ndaj tij, duke u bazuar në dëshminë e parë që 15 vjeçari, Ergys Malja, ka dhënë në polici. Fillimisht Malja, ka treguar se ishte ai që kishte nxjerrë nga shtëpia Endri Mustafën dhe së bashku ishin drejtuar në zonën e quajtur “Gropat e Eskavatorit”.
Po sipas tij, papritur i ka dalë në rrugë, Ibrahim Lici me një motor, i cili e ka qëlluar me pistoletë, Endri Mustafën, duke e lënë të vdekur në vend. Ndërsa vetë i mituri Ergys Malja, ka treguar se është larguar me vrap duke mundur të shpëtojë.
Vetëm një javë pas krimit të rëndë, policia arrestoi Ergys Maljan si bashkëpunëtor në këtë vrasje. Fillimisht Malja, u dënua me 24 vite burgim nga gjykata e Shkodrës, por për shkak të moshës së mitur, dënimi i tij u reduktuar, duke u dënuar përfundimisht me 12 vjet heqje lirie.
Tashmë radha për tu ballafaquar me provat dhe faktet e prokurorisë, është e të pandehurit tjetër, Ibrahim Lici. Ky i fundit vijon të jetë në kërkim prej vitit 2020, ndërsa ka mohuar të gjitha akuzat që janë ngritur nga prokuroria. Ibrahim Lici, pretendon se ditën kur ka ndodhur krimi dhe orën e ngjarjes, ai nuk ka qenë fizikisht në Shkodër.
Sipas tij, ai ka qëndruar në Tiranë dhe për të provuar prezencën e tij, ka dorëzuar në prokurori dhe pamjet filmike të banesës ku ka qëndruar në kryeqytet. Lici pretendon se ka qëndruar në Tiranë nën shoqërinë e 4 shokëve të tij dhe një vajze.
Të gjithë këta persona duken në pamjet filmike të dorëzuara në prokurori. Por gjatë një ekzaminimi që ekspertët e laboratorit të policisë i kanë bërë pamjeve filmike, ata kanë dalë në përfundimin se nuk ishin në gjendje të shpreheshin nëse personi në pamjet filmike është Ibrahim Lici ose jo.
Nisur nga kjo situatë por dhe duke ju referuar dëshmisë së parë që Ergys Malja ka dhënë në polici duke implikuar në këtë vrasje Ibrahim Licin, prokuroria e Shkodrës tashmë ka ngritur akuzë ndaj tij, duke e cilësuar si autor kryesor në vrasjen e Endri Mustafës.
Por nga ana tjetër, vetë nëna dhe gruaja e Endri Mustafës, e kanë përjashtuar në mënyrë kategorike, implikimin e Ibrahim Licit në vrasjen e djalit të tyre. Në dëshminë që ka dhënë përpara gjykatës së Shkodrës Fahrije Mustafa, nëna e Endri Mustafës, tregon se djalin e saj e ka vrarë Edison Arazi që në Shkodër njihet me nofkën “Coli”.
“…djali më tha:… nan mos u bëj merak se nuk jam vetëm se jam edhe me “Colin”. Unë tash e kam marrë vesh se “Coli” është Edison Arazi. Ergys Arazi dhe Edison Arazi, janë shokët e Astmer Bilalit dhe kanë ndejt ditë-natë tek Astmer Bilali dhe aty është bërë gjurulldia.
Kjo është meseleja që thoni se jo është Ibrahim Lici, jo ai. Askërkush nuk është dhe unë këto gjëra i kam dhënë në deklaratën qysh në fillim. Edison Arazi ma ka nxjerrë djalin në pritë me Ergysin. Edison Arazi është që më vrau djalin. Unë prej këtyre të dyve, kërkoj djalin me drejtësi…”, ka deklaruar ajo./Ora News/m.j