Shqipëria nuk do të largohet nga iniciativa 17+1, e iniciuar nga Kina në 2012 mes vendeve të Europës Qëndrore lindore dhe ato të Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës edhe pse deri tani nuk ka përfituar asnjë investim.
Në konferencën për medien, mbajtur sot në Berlin, krah kancelarit gjerman Sholz Rama sqaroi pozicionin e Shqipërisë në kuadër të bashkëpunimit me Kinën
“Shqipëria ka mbajtur një qëndrim të qartë publik madje duke u bërë thirrje dhe vendeve të rajonit për të zgjedhur një alternativë për 5 G. Këtë e kemi bërë shumë kohë më parë. Në këtë aspekt nuk kemi asnjë problem. Po, jemi pjesë e formatit 17+1 dhe nuk kemi ndërmend të largohemi, edhe pse Shqipëria është vendi, nga të gjitha vendet e tjera të këtij formati, që nuk ka përfituar asnjë investim.
Nuk di se ku e bazoni bashkëpunimin e ngushtë me Kinën. Për hir të së vërtetës për arsye historike, psikologjike të të dy palëve, bashkëpunimi ynë është fare fare normal dhe krahasuar me vendet e tjera është jorelevant. Por të largohemi nga forumi për të mbajtur qëndrim për çfarëdolloj arsye, më duket ide e gabuar.”
Për Ramën “largimi nga nisma 17+1 është ide e gabuar” ndërsa sheh të nevojshme bashkëpunimin pavarësisht qëndrimeve të kundërta.
“Në botën ku jetojmë, komunikimi, me të gjithë pa përjashtim, pavarësisht se mund të kemi mendime të kundërta, është A-ja. Ne për veten tonë në Shqipëri e kemi kaluar një kohë me një regjim që nuk i fliste askujt dhe i mbante qëndrim gjithë planetit. Komunikimi do duhet të jetë me këdo” tha Rama.
Nisma 17+1 e Kinës shihet me shqetësim nga vendet e BE-se pasi lidhet me synimin e Kinës për të përçarë BE, ndërsa nga ekspertët është parë si mundësi që Pekini kërkon ta përdorë atë si portë hyrëse në tregjet e Europës dhe të rikthehet si lojtare e rëndësishme. Në 2020 SHBA i kërkoi Shqipërisë të dalë prej kësaj nisme.
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Berlin në kuadër të një vizite zyrtare dy ditore.
/a.r