Ish-kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume me anë të një komunikimi të drejtpërdrejtë në News24 ka folur në lidhje me regjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet vendore dhe mundësitë për kandidatët e Sali Berishës në 14 maji.
Kume deklaroi se i regjistruar në fletën e votimin nën logon e PD-së do jetë grupimi i Enkelejd Alibeajt pasi grupimi i Sali Berishës nuk është në përputhje me kushtet dhe legjislacionin përkatës.
Sakaq, ai tha se Berisha ka dy rrugë, ku një prej tyre është bashkëpunimi me Alibeajn për nxjerrjen e kandidatëve të përbashkët në zgjedhje ose koalicioni me partitë më të vogla si Partia e Lirisë ose forcat e tjera opozitare.
Sipas tij nëse opozita garon me më shumë se një logo mundësitë për fitore në zgjdhje janë shumë të limituara.
“I regjistruar në fletën e votimit do jetë ai që ka plotësuar dokumentacionin për tu regjistruar si subjekt zgjedhor sipas ligjit. Një ndër kërkesat e ligjit është paraqitja e vërtetimit nga zyra e regjistrimit të partive politike. Këtë e mori dhe e ka paraqitur grupi i Alibeajt. Aty vërtetohet që PD është një institucion që ekziston dhe është e regjistruar. Grupimi tjetër nuk është në përputhje me ligjin.
Vendimi i Zhukrit nuk është në përputhje me kërkesat për tu regjistruar në zgjedhje grupimi i Berishës. Berisha ka dy rrugë, e para është ajo që ofron grupi i Alibeajt që do të thotë të ketë përpjekje që PD të dalë me një kandidat të përbashkët, që nëse nuk ndodh mundësitë për fitore ndaj mazhorancës do jenë shumë të limituara. Berisha tha që vendimi i takon anëtarëve të Kryesisë. Për mua është një shteg i hapur për t’i dhënë zgjidhje ngërçit në PD duke angazhuar anëtarësinë në gjetjen e një zgjidhjeje.
Në një njësi të caktuar le të jetë anëtarësia e partisë ata që vendosin mes kandidatëve të Alibeajt apo atij të Primareve që ka më shumë mundësi për të marrë vota dhe le të mbështesin atë kandidat. Lidershipi duhet të kapërcejë mbi veten për të kaluar një situatë të tillë. Nuk e zgjidh ngërçin në PD por jep shanse për të fituar në 14 maj.
Tjetër mundësi është koalicioni me partitë e tjera të vogla. Vështirësia është se sa do garojnë, jo në cilën logo. Nëse opozita garon në më shumë se një logo ka një problem të madh. Duket sikur topi është në këmbët e KQZ, por ky top lëvizet nga legjislacioni i cili zbatohet nga KQZ-ja më pas”, tha ai.
/e.d