Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit Kurti, në emër të qeverisë së Republikës dhe popullit të Kosovës, ai i shprehu edhe njëherë ngushëllime presidentit Erdogan, e përmes tij, familjarëve të viktimave të tërmetit dhe mbarë popullit të Turqisë. Gjithashtu Kurti falenderoi presidentin Erdogan për mikpritjen zemërgjerë në Stamboll me datën 3 shkurt, “ku patën një takim tejet produktiv që do të shërbejë për forcim të mëtejshëm të marrëdhënieve dhe miqësisë së përhershme në mes të dy vendeve tona”.
Kryeministri Kurti tha se Kosova është vend jo i madh, por me zemër të madhe, që ka dëshmuar bujari ndaj të gjithëve në ditët e tyre të vështira, së fundi edhe ndaj ukrainasve e afganëve.
“Kosova është dhe gjithmonë do të vazhdojë të qëndrojë pranë shteteve mike në ditët e tyre të vështira, posaçërisht Turqisë”, theksoi Kurti.
Presidenti Erdogan e falenderoi Kurtin për solidarizim të plotë me shtetin dhe popullin turk, që po kalon fatkeqësinë më të rëndë në këtë shekull. Erdogan po ashtu e falenderoi për vendimin për mbështetje dhe ndihma, për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) që bënë kërkim-shpëtim në rrënoja dhe për shpalljen e ditës së zisë në Kosovë.
Mes palëve u bisedua edhe për takimin e fundit në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për çfarë Presidenti Erdogan përshëndeti rezultatin e arritur, duke shprehur mbështetjen e tij kryeministrit Kurti dhe gatishmërinë për të ndihmuar.
/a.r