Sekretari i FRPB Grigels Muçollari ka mbajtur fjalën e tij para turmës së protestuesve që kanë ardhur në mbështetje të PD-së para Kryeministrisë teksa ka deklaruar se “është momenti më i mirë t’i kthejmë reston këtij këtu” dhe kujtdo tjetër që kërkon të na marre lirinë! “Është momenti ta largojmë Edi Ramën”, tha ai.
Fjala e plotë:
Të nderuar protestues!
Të dashur qytetarë të vendit tim. Me emocionon pa masë ky shesh i tejmbushur me njerëz plot shpresë.
Të dashur prindër, që ju mungojnë të ardhurat për të shkolluar dhë për të rritur fëmijet tuaj.
Të dashur të rinj, që jeni detyruar të largoheni nga ky vend pasi nuk mundi t’ju sigurojë një të ardhme.
Të dashur punonjës së administratës, që çdo ditë ju fyejnë dinjitetin dhe profesionalizmin.
Të dashur qytetarë, që stërmundoheni dyerve të gjykatave.
Të dashura nëna dhe bija të dhunuara, që shteti nuk ju siguron dot mbrojtje.
Të dashur sipërmarrës, që çdo ditë ju shtohet nga një taksë e re.
Të dashura punëtore dhe punonjës që s’ju del dot muaji.
Të dashur punonjës policie, që keni po të njëjta halle, por ju vendosin përballë nesh.
Të dashur pensioniste, që sa herë shkoni për të tërhequr atë palo pension, shteti ju thotë ejani një ditë tjetër, pasi për sot mbaroi.
Të dashur mësues, artistë, mjekë që kjo qeveri s’ju dha kurrë dinjitet.
Të dashur qytetarë që endeni dyerve të gjykatës pa marrë kurrë zgjidhje.
Të dashur përdorues të automjetve që paguani naftën me të shtrenjtë në Europë.
Të dashur shqiptarë të mashtruar, të vjedhur, të cilëve tentuan t’i vjedhin opozitën, tentuan t’ju privojnë nga e drejta për të vendosur, nga e drejta për të qenë të lirë.
Regjimi sot po na vështron.
Shikoni lart, me siguri si në çdo protestë kemi një dron që na numëron sa jemi. Vrapojnë të gjejnë hapësirat boshe në bulevard. I përshëndesim edhe ata! I përshëndesim të gjithë numëruesit e protestuesve, dhe kam nje pyetje per ta: Si ju del llogaria sot?
Por, pavarsisht kësaj pjesëmarrje masive do doja t’ju rikujtoja se për kauzën e lirisë mjafton edhe një qytetar i vetëm.
Në një shtet demokratik, sikur një qytetar të protestonte fill I vetëm, do të dëgjohej e trajtohej me respekt nga autoritetet dhe mediat.
Jetojmë në një kohë krejt tjeter, një njeri i vetëm guxon të shpërfillë një popull në këmbë! Kjo po ndodh këtu, po ndodh me ne! Ky është regjimi, këtë mentalitet kanë regjimet.
Edhe pakicë në qofshim, ne jemi shtetas me të drejta kushtetuese, sovran i vendit tonë.
Ky është vendi im, dhe Edi Rama apo shpura e tij, s’ka asnjë të drejtë të më përzerë. Kjo është revoltë, dhe unë jam këtu për të luftuar bashkë me ju.
Amerikanët e Amerikës, jo të Shqipërisë, nuk e kursyen emrin e Edi Ramës, madje FBI e përdori me bollëk. Mund ta kursenin por nuk e bënë, sepse përfshirja e tij është faktuar. Po përse ky që luan të fortin e politikës shqiptare, paska nevojë të korruptojë agjentin e huaj?
Ç’nevojë ka të asgjësojë politikisht opozitën e vendit, ky që ndjehet superior në numra?
Ç’i duhen këtij simbolet tona, nëse kaq sa jemi nuk i bën përshtypje?
Sepse forca që po lëviz Edi Ramën është frika. Frikë nga zgjedhjet e lira, frikë nga ish ministrat e tij që duan të shpëtojnë veten.
Edi Rama ka nën vete parlamentin, gjyqësorin, mediat, Presidentin, timonin. Ka shumë pushtet, por mesa duket jo mjaftueshëm për të ndalur popullin protestues dhe opozitën e vendit.
Jep ryshfet dhe korrupton, hap ekspozita dhe fluturon.
Me taksat tona kap mediat dhe gjykatat dhe i vendos të punojnë në funksion të pushtetit të tij personal.
Ky është regjimi. Këtë mentalitet ka.
Amerikanëve u tund flamurin, rusëve koncensionet. Neve na vendos patronazhistë, patronazhistëve u vendos Aktivistin.
Pacientëve u largon mjekët, prindërve-fëmijët, tregut-fermerin, shkollave-nxënësit, Tiranës-gjelbërimin. Na dha kaos, pasiguri dhe vetem propagandë.
Kjo nuk është Shqipëria që duam,
Ky nuk është atdheu për të cilin mund të ndihemi krenar.
Është momenti më i mirë për ta ndërruar këtë realitet.
Është momenti më i mirë t’i kthejmë reston këtij këtu dhe kujtdo tjetër që kërkon të na marre lirinë! Është momenti ta largojmë Edi Ramën!
Ështe momenti t’i kthejmë shqiptarëve shpresen, ëndrrën për një Shqiperi si gjithë Europa.
Është momenti që gjithsecili të marrë fatin e tij në dorë, për t’i dalë Zot fëmijëve, prindërve, njeri- tjetrit.
Është momenti Shqipërisë t’i dalim Zot!
Është momenti ynë!
/a.r