Beteja ligjore për vulën dhe logon e Partisë Demokratike nisi në dhjetor 2021. Atë kohë Sali Berisha dhe Lulzim Basha zhvilluan dy Kuvende Kombëtare të Partisë Demokratike, nga ku secili pretendoi se ishte konfirmuar si kryetar i selisë blu.
Të dyja kampet ju drejtuan Gjykatës së Tiranës për të zyrtarizuar në akte juridike vendimet që kishin marrë në salla forumesh politike, pasqyrimin e vendimeve të kuvendeve në regjistrin e partive politike.
Më 25 mars 2022, gjyqtari i Tiranës Agron Zhukri, pranoi këtë padi, duke zyrtarizuar kështu kalimin e logos së Partisë Demokratike dhe vulës në favor të kampit të liderit historik.
Ndonëse nuk ishte palë në proces, Alibeaj mundi të fitojë të drejtën për të bërë ankim përmes një vendimi gjykate. Në këtë mënyrë, në pritje të shqyrtimit të ankimit në Apel ne regjistrin e partive politike në Shkallën e Parë nuk u fshi emri i Lulëzim Bashës.
Gjykata e Tiranës nuk e rifreskoi regjistrin e partive politike, duke mos shënuar Sali Berishën si titullar të PD, ndonëse vendimi i gjyqtarit Agron Zhukrit e deklaronte të tillë. Nga ana tjetër, demokratët e Berishës bënë dy ankime në Apel.
Procesi u zvarrit nga mbingarkesa me dosje në Gjykatën e Apelit. Në fillim shorti përzgjodhi gjyqtaren Elona Toro si kryesuese dhe Edlira Petri e Genti Shaka anëtare. Për muaj me radhë nuk u caktua një datë për shqyrtimin e çështjes.
Në shkurt të këtij viti, Gjykatat e Apelit të zakonshëm në vend u shkrinë në një të vetme në Tiranë, në atë të Apelit të Jurisiksionit të Përgjithshëm. Për shkak se për dosjen e shqyrtimit të fatit të vulës së PD nuk ishte caktuar një datë ajo u rishortua.
Shorti i ri përzgjodhi gjyqtaren Elona Mihali si kryesuese dhe Irida Kacerja e Artur Kalaja anëtarë, me ritëm më të shpejtë sesa kolegia e tyre e mëparshme, përpara apeleve publike të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe kërkesës së palëve demokrate për një gjykim më të shpejtë, ata caktuan 3 marsin si ditë për të dhënë verdiktin.
/s.f