Pas fatkeqësive të tërmetit, shumë viktima të tërmetit u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Jusuf, 44 vjeç, i cili jetonte në Hatay të Turqisë, është një nga ata që humbi shtëpinë për shkak të tërmeteve.
Shtetasi sirian, i cili ende nuk e ka marrë mirë veten pas tragjedisë që goditi të dy vendet më 6 shkurt, u vendos në një nga shpellat e vogla të formuara në shpatet e malit aty pranë. Sipas tij, aty është vendi më i sigurt, pasi i druhet mundësisë së një tjetër tërmeti në zonë.
“Doja të vazhdoja jetën, shtëpia mu shkatërrua plotësisht nga tërmet”, tregon ai për agjencinë turke të lajmeve, IHA. “Shpellat në shkëmbinj janë të forta. Këtu është i vetmi vend që nuk kam frikë”.
Tërmetet e 6 shkurtit shkaktuan mbi 51 mijë viktima në Turqi dhe Siri. Sipas shifrave zyrtare, mbi 45 mijë janë regjistruar në Turqi, ndërsa mbi 5 mijë në Siri. Numri i të plagosurve llogaritet në rreth 108 mijë, ndërsa miliona të tjerë kanë mbetur pa shtëpi, duke u strehuar në kampe të përkohshme apo qytete të tjera. Dëmi financiar përllogaritet në disa qindra miliarda dollarë.
/a.r