Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor ka reaguar pas vendimin e Autoritetit të Konkurrencës për të pezulluar marrëveshjen e arritur mes këtij institucioni, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe shoqatave të autoshkollave për ndryshimin e çmimit të kursit të marrjes së lejes së drejtimit të mjeteve.
Sipas DPSHTRR, objekti i “Akt Marrëveshjes” është “Njohja ndërmjet Palëve, me tarifën e pagesës, si dhe vlerësimi i kostos minimale fiskale referuese, për përmbushjen e programit të edukimit për përgatitjen për drejtues mjeti dhe pajisjen me kategoritë e lejedrejtimit: AM, A1, A2, A, B1, B, BE, C1, C, C1E, CE, D1, D, D1E, DE; për përgatitjen për rimarrjen e leje së drejtimit pas humbjes totale të pikëve ose për heqje të saj, si dhe përgatitjen për pajisjen me dëshmitë dhe certifikatat e aftësimit profesional”, dhe jo përcaktimi i tarifës së pagesës dhe kostos minimale fiskale për përgatitjen dhe pajisjen me leje drejtimi. Sqarojmë edhe një herë se tarifa dhe kosto janë referuese dhe jo përcaktuese, për garantimin e zbatimit të detyrueshëm të kushteve të barabarta në mësimdhënie.
“Synim i kësaj marrëveshje është pikërisht shmangia e rrezikut eminent dhe dëmit të rëndë dhe të pariparueshëm që po i bën konkurrenca e pandershme sektorit të autoshkollave! Marrëveshja angazhon palët për dhënien fund evazionit dhe fiktivitetit, duke kërkuar reformim total të aktivitetit të subjekteve të autoshkollave dhe raporteve me qytetarin, në mënyrë që ky i fundit të mos mashtrohet por edhe të mos përfshihet nga një shërbim që thyen normat, që i shmanget Programit Zyrtar të detyrueshëm dhe që gjeneron evazion, informalitet dhe rrezik potencial në qarkullimin rrugor!
Qëllimi i marrëveshjes është sinergjia për t’i dhënë fund një tregu të pandershëm, që ka abuzuar mbi shërbimin e mësimdhënies për drejtimin e rregullt të një mjeti rrugor, për t’i shërbyer direkt interesit publik!”, thotë DPSHTRR.
“DPSHTRR i qëndron pozicionit të marrjes dhe ushtrimit të përgjegjësive ligjore, duke përgëzuar DPT për vullnetin dhe bashkëpunimin institucional, për t’u përballur dhe jo fshehur, për t’u përpjekur, duke mos zgjedhur qasje populiste apo hipokrite! Sfida e standardeve për sigurinë rrugore tejkalon çdo qëndrim hezitues e kompleks burokratik! DPSHTRR vijon e palëkundur punën për reformimin e sektorit të Autoshkollimit, komponent kryesor i Automotorizimit Shqiptar, me rëndësi jetike për sigurinë publike dhe shoqërinë. Mbikëqyrja e këtij sektori, mbetet sfidë institucionale në nivel kontrolli administrativ dhe fiskal!”.
/a.r