Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim dosjen e 7 të pandehurve të akuzuar për trafik të mjeteve motorike nga Kosova. Mes të pandehurve janë edhe 3 punonjës policie, përkatësisht Vojsava Doda, Endi Ahmetaj, Ftari Braha.
Drejtuesi i grupit, i cili mendohet se është Selaudin Shahini, duke shfrytëzuar lidhjet familjare dhe shoqërore në Kosovë, kishte krijuar një rrjet personash që trafikonin mjete në vendin tonë. Më pas ishte Ndriçim Shahini, kushëriri i Selaudinit, personi që kujdesej për shitjen e mjeteve. Në pranga përveç tyre kanë përfunduar edhe: Ervis Cara, (kushëri i Ndriçimit); Aurel Shatri (shok i Ervisit); Vojsava Doda (Punonjëse e Policisë – Lidhje e Selaudinit); Endi Ahmetaj (Punonjës i Policisë – Lidhje e Selaudinit) dhe Fatri Braha (Punonjës i Policisë).
Të gjithë ofronin ndihmën në forma e metoda të ndryshme për të bërë transportin e mjeteve të vjedhura nga Kosova për në Shqipëri duke i kaluar nga dogana e Morinës.
Prokuroria e Posaçme përfundoi një muaj më parë hetimet dhe çoi për gjykim 7 të pandehurit, të arrestuar në shkurt të 2022, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, ku trafikonin makina të vjedhura nga Kosova drejt Shqipërisë. SPAK ka çuar për gjykim Selaudin Shahinin, Ndriçim Shahinin, Ervis Carën, Endi Ahmetajn, Vojsava Dodën, Aurel Shatrin dhe Fatri Brahën. Endi Ahmetaj, ishte polic i ‘Shqiponjave’, Vojsava Doda inspektore policie në Tiranë, Vojsava Doda inspektore policie në Tiranë dhe Fatri Braha, punonjës i policisë në Kukës, akuzohet për shpërdorim detyre.
Sipas SPAK të pandehurit bashkëpunim me njeri-tjetrin kishin krijuar një rrjet personash që funksiononin si një grup i strukturuar kriminal, dhe trafikonin mjete e të vjedhura, nga Kosova në drejtim të Shqipërisë. SPAK bën të ditur se grupi i strukturuar kriminal drejtohej nga Selaudin Shahini, në përbërje të të cilit ishin dhe të pandehurit Ndriçim Shahini, Ervis Cara, Endi Ahmetaj, Vojsava Doda, dhe Aurel Shatri, si dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar.
Pas hetimeve, SPAK ka dalë në përfundimin se grupi kriminal siguronte mjete të vjedhura në Republikën e Kosovës dhe më pas i kanë trafikuar në territorin e Republikës së Shqipërisë nga pika e kalimit kufitar Morinë, Kukës me targa të vendosura në to, që i përkisnin mjeteve të targuara dhe regjistruara në Republikën e Shqipërisë. Në kohën e kryerjes së veprës penale i pandehuri Endi Ahmetaj ka qenë punonjës policie në detyrën trupë shërbimi i forcës së posaçme “Shqiponja”, në Sektorin e Rendit dhe Policimit në Komunitet në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, ndërsa e pandehura Vojsava Doda ka qenë inspektore policie pranë Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit Tiranë.
I pandehuri Fatri Braha, në kohën e kryerjes së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” ka qenë punonjës policie me gradën inspektor në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Kukës, si dhe më datë 24.02.2022, duke qenë me detyrë “Ndihmës specialist kontrollor“, në Stacionin e Policisë Kufitare Morinë, Kukës, me dashje nuk ka kryer proçedurat e verifikimit dhe regjistrimit në Sistemin TIMS për të pandehurën Vojsava Doda, duke i krijuar asaj lehtësira për trafikimin e një mjeti të vjedhur në Republikën e Kosovës, mjet i cili ka hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë me targat e një mjeti tjetër të regjistruar në Shqipëri, si dhe drejtohej nga kjo e pandehur. Veprimtaria kriminale e të pandehurve është arritur të zbulohet më datë 24.02.2022, si dhe të pandehurit janë arrestuar në flagrancë apo ndaluar më datë 25.02.2022.
Hetimet paraprake janë drejtuar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe janë zhvilluar në bashkëpunim me hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe oficerët e shërbimeve të policisë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe Drejtorisë Vendore të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë.
/s.f