Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar edhe nga llogaria e tij në Twitter, për pranimin e propozimit evropian ashtu siç është, pa diskutime të mëtejshme. Ai tha se edhe pala serbe u dakordua për këtë, po presidenti serb Vuçiç nuk nënshkroi sepse nuk ishte i gatshëm.
Ai ka falënderuar përfaqësuesit e BE-së Borrell dhe Lajçak për takimin djeshëm në Bruksel.
“Sot në Bruksel, të dy u pajtuam me propozimin e BE-së, të mbështetur nga Gjermania, Franca, Italia dhe SHBA, pa ndryshime. Unë ofrova që ta nënshkruajmë edhe formalisht, por Serbia nuk ishte e gatshme. Negociatat për implementim do të vijojnë shpejt”, njoftoi Kurti në Tëitter.
Më herët, pas takimit në Bruksel, kryeministri i Kosovës u shpreh: “Jemi në rrugë të mbarë dhe njëkahëshe të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për fqinjësi të mirë evropiane”.
Kurti tha se ishte i gatshëm të nënshkruajë për dakordimin rreth planit evropian, por sipas tij pala serbe ka refuzuar një gjë të tillë.
“Sot patëm një takim pozitiv konstruktiv në Bruksel dhe ky takim ishte konfirmim që propozimi evropian është i pranueshëm dhe i pandryshueshëm. Unë qysh më herët pata thënë që është bazë e mirë për diskutime të mëtejmë dhe është platformë solide për të ecur përpara dhe tash ecja përpara do të jetë për planin e zbatimit për çfarë do të ketë edhe diplomaci fluturuese siç quhet e por do të ketë edhe takim të radhës të nivelit të lartë diku nga mesi i muajit mars, me ndërmjetësimin apo fasilitimin e zotit Borrell dhe zotit Lajçak. Me këtë rast unë i falënderoj ata të dy për punën që kanë bërë deri më tash dhe besoj që jemi në një rrugë të mbarë dhe njëkahëshe të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për fqinjësi të mirë evropiane”, ka deklaruar Kurti.
/a.r