Korrespondetja austriake në Tiranë, Franziska Tschinderle u nderua me çmimin e Shoqatës së Europës Juglindore për Raportimin nga dhe për Europën Juglindore. Për DW ajo rrëfen përvojën e saj në Shqipëri e Kosovë.
DW: Urime për çmimin Franziska Tschinderle, një çmim prestigjioz për raportimin në hapësirën gjermanishtfolëse i Shoqatës së Europës Juglindore. Ju raportoni nga Shqipëria, çfarë nënkupton raportimi nga një perspektivë e tillë?
Franziska Tschinderle: Siç e thatë edhe ju, është një perspektivë ndryshe. Pati disa arsye pse zgjodha Tiranën, nuk ishte një arsye e vetme. Tek unë kjo kishte të bënte me librin që shkrova për Shqipërinë, dëshira për të mësuar gjuhën, e pastaj edhe lidhjet që krijohen me miqtë e shoqërinë ndikuan. Ndoshta e njihni këtë. Fillon të shkruash për një vend dhe nuk do të ndalësh për ta kuptuar më mirë. Në lidhje me perspektivën, është një këndvështrim tjetër, kur më pyesin nga raportoj, them raportoj nga Ballkani jugor. Kësaj i shtohet edhe diaspora. Kur raporton për Shqipërinë apo Kosovën, atëherë raporton edhe për Vjenën, për Zyrihun, po edhe për Frankfurtin etj, aty ndodhet një diasporë e madhe.
Në hapësirën gjermanishtfolëse jeni korrespondentja e vetme aty. Deri tani Europa Juglindore është mbuluar nga Athina,Vjena, Beogradi. Çfarë do të thotë kjo për historitë që rrëfeni nga ky rajon?
Do të thotë që jam më shumë në Prishtinë dhe Tiranë dhe që unë përpiqem që këto dy vende, Shqipërinë dhe Kosovën t’i ndjek gjithmonë nga afër. Kjo natyrisht nuk do të thotë, që dy herë në vit të raportoj për një histori nga Greqia, apo Italia jugore nëse ndodh diçka, pra gjithçka është brenda hapësirës gjeografike. Do të thotë që lexueset e lexuesit të marrin një vështrim më të thelluar për Shqipërinë e Kosovën, dhe jo vetëm, le të themi vetëm kur ndodh diçka në Mitrovicë apo pse ka një qeveri të re në Prishtinë, apo se ngecin proceset e zgjerimit të Shqipërisë drejt BE, apo se ka bum të turizmit, që në thelb është një histori e bukur.
Ka interes në hapësirën gjermanishtfolëse për histori nga ky rajon?
Besoj se këtu duhet bërë dallimi. Gjermania përbën një dallim, nuk ka ndonjë interes shumë të madh, aty e kam shumë më të vështirë për të gjetur vend për historitë nga ky vend. Nuk mund të them, pse është kështu. Një kohë të caktuar e kam shpjeguar këtë me diasporën. Në Zvicër për shembull jetojnë gati një çerek milioni shqiptarë, dhe besoj se aty janë pak më të interesuar për zhvillimet politike. Por edhe në Gjermani jetojnë shumë shqiptarë, e megjithatë nuk është ky interes kaq i madh, kemi madje edhe një të dërguar të qeverisë federale. Nuk e kuptoj dot pse. Ajo që më irriton në lidhje me Gjermaninë, është pyetja e shpeshtë që dëgjoj: pra cila është lidhja me Gjermaninë këtu? Gazetaret e gazetarët e dëgjojnë shpesh këtë. Kjo pyetje të rëndon, se nuk ka gjithmonë një lidhje me Gjemaninë të këtyre historive. Nuk bëhet gjithmonë fjalë për refugjatët dhe migrimin. Nuk bëhet gjithmonë fjalë për largimin e fuqisë punëtore. Ka histori me vlerë gazetaraske që nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejt me Gjermaninë.
Shqiptarët e ndjekin me shumë vëmendje se çfarë shkruhet për ta në vende të tjera. Çfarë reagimesh merrni nga rajoni, a i ndjekin ata publikimet e librat tuaj?
Shumë më pyesin, a është publikuar libri yt në anglisht? Nuk do thoja, se libri im që është shkruar në gjermanisht, u shkrua për publikun shqipfolës, do ishte arrogante të mendoja kështu. Ka dy gjëra: shumë e dinë për artikujt që janë publikuar, dhe thonë, por pse nuk raporton për këtë zhvillim apo për këtë gjë. Të tjerë thonë, raporto për këtë temë se nuk është e lehtë ta publikosh në shtypin vendas. Ka të tjerë që duan të ushtrojnë ndikim politik, dhe është e qartë, se janë krah i një partie. E natyrisht ka edhe kritika. Po, gjithmonë ka kritika. E sidomos në Shqipëri kjo është shumë specifike, se lidhet me atë nëse i përket këtij krahu politik apo krahut tjetër, je me socialistët apo demokratët. Nuk e kam përjetuar aq shpesh, por ky referim bëhet shumë shpejt në vend. Një fenomen negativ është kur ndodh që artikujt përkthehen, e përkthimi është i gabuar, apo një përkthim i caktuar bëhet me qëllim. Kjo më ka ndodhur me portretin për Edi Ramën, më ka ndodhur edhe në Kosovë. Për fat të keq kjo ndodh, që raportimet përdoren për axhenda të caktuara politike.
Si gazetare e huaj në Shqipëri, e keni ndjesinë se keni qasje më të lehtë tek tema të caktuara politike a- apo ndoshta qasje më të vështirë. Keni përshtypjen se mund të veprosh ndryshe nga gazetarët lokalë?
Po, dhe kjo është kritika ime e fortë ndaj qeverive të këtyre vendeve dhe institucioneve. Unë e përjetoj këtë. Kam kolege dhe kolegë gazetarë nga Shqipëria dhe Kosova. Bisedoj me dy kolege gazetare shpesh për vështirësitë e gazetarëve, njëra punon për DW, Vjosa Çerkini dhe e kuptoj se sa e vështirë është shpesh të kesh qasje aty. E në Shqipëri kjo është edhe më e vështirë. E shoh këtë fenomen. Gazetarët që vijnë nga “Spiegel”, nga media të tjera, “Profil” ku edhe unë punoj, pyesin ndoshta tre javë më parë përmes ambasadës dhe e marrin përgjigjen për ta bërë intervistën me presidenten, kryeministrin, ministrin e Brendshëm apo të tjerë. Ajo që mund të them, është se kjo duhet të ndryshojë. Unë nuk luaj rol këtu, dhe sigurisht më vjen mirë që kam qasje më të lehtë, por nuk e kam gjithmonë këtë. Ndonjëherë kam përshtypjen, se këta gazetarë që vijnë nga jashtë, vijnë ndoshta për herë të parë në këto vende, apo një herë në vit, dhe thjesht nuk mund të shtrojnë shumë pyetje kritike, si dikush që jeton në vend, flet gjuhën, dhe çdo ditë i ndjek mediat aty. Ndoshta prandaj nuk u jepen atyre këto intervista.
Kanë kaluar disa kohë që jetoni në këto vende… çfarë ju frymëzon apo ndoshta çfarë nuk ju pëlqen nga përvojat që keni bërë?
Më bien ndërmend gjëra të mira. Në Vjenë kam jetuar 7 apo tetë vjet, kam studiuar aty, dhe me fqinjin tim nuk kisha asnjë kontakt, megjithëse flisnim të njëjtën gjuhë. Kur fillova të jetoj në Tiranë kam njohur brenda 3-4 javësh mjaft njerëz, që edhe sikur të mos i kem njohur personalisht, të paktën përshëndeteshim në rrugë. E besoj se kjo nuk ka të bëjë me atë që isha austriakja e parë në atë lagje jo aq qendrore, por kjo thjesht ka të bëjë me kulturën aty. Kjo më pëlqen shumë. Ajo që më habit gjithmonë, është se sa ndryshim ka Kosova dhe Shqipëria, ose shpesh ka edhe keqkuptime mes popullsisë së ty vendeve. Më duket se lidhja e ngushtë paraqitet nganjëherë shumë e ekzagjeruar, vetë njerëzit më thonë, se ka dallime. Unë jetoj me shumë dëshirë aty, por jam e vetëdijshme, se investigime të vështira gazetareske në këto vende janë komplet diçka tjetër krahasuar me Austrinë apo Gjermaninë, ku krahasimisht nuk ke pse të kesh frikë. Kam shumë respekt për ata gazetarë që kanë familje në këto vende dhe megjithatë guxojnë të prekin tema të caktuara. Nuk e di, nëse unë do kisha kaq guxim në një rast të tillë.
Në lidhje me raportimin, do kisha dëshirë për më shumë konkurrencë nga jashtë. Duhet bërë dallimi mes gazetarëve që janë në vend dhe korrespondentëve nga jashtë, sepse ne nuk do të thellohemi dot kurrë në këto vende aq sa gazetarët lokalë. Kam shumë kolegë nga media të tjera. Kam një koleg që ndajmë një zyrë dhe një kolege nga Zvicra, po kaq, do kisha shumë dëshirë të vinin më shumë kolegë nga vende të tjera të raportonin. Në Tiranë jam relativisht vetëm./ Adelheid Feilcke, DW