Pyetja nëse Ukraina duhet të furnizohet me avionë luftarakë “aktualisht nuk ka kuptim”, tha kancelari gjerman, Olaf Scholz, në një intervistë ku ai u pyet të adresonte thirrjet në rritje për fuqitë perëndimore që t’i japin Kievit avionë.
Në intervistën për televizionin publik gjerman, Scholz, që më herët është përballur me kritika për shkak të zvarritjes së vendimit për të lejuar dërgimin e tankeve në Ukrainë, tha se vështirësitë e shteteve të tjera në përmbushjen e kërkesave të Ukrainës justifikojnë vendimin e tij që të jetë në linjë të njëjtë me ta, shkruan REL.
Më herët gjatë këtij muaji, Gjermania u pajtua që të dërgojë dhe të lejojë edhe shtetet e tjera që të dërgojnë tanke të rënda të prodhimit gjerman në Ukrainë, në mënyrë që forcat e Kievit të kryejnë ofensivë kundër forcave ruse në lindje të shtetit.
Pavarësisht këtij vendimi, dërgesat e tankeve kanë qenë të ngadalshme për shkak se shtetet që janë zotuar se do të dërgojnë tanke kanë numër të kufizuar të tyre.
“Ndoshta ky është tregues se pse është e rëndësishme të koordinohemi me njëri-tjetrin, me Shtetet e Bashkuara për shembull, dhe të përgatisim këto vendime në mënyrë të kujdesshme që ato të funksionojnë”, tha ai.
/s.f