Nga Prof. Aleko Miho*
Këtë periudhë u ngarkuam në department, si dhe herë të tjera në këta vite, për të riparë Planet Mësimore të programeve egzistuese biologjike bachelor dhe master dhe për ndryshime relativisht të vogla (deri në 20% ndryshime në secilin Program). Për hir të së vërtetës vihen re dukshëm ndryshime në programet tona lidhur me programe të ngjashme në vendet e rajonit dhe në përputhjen e tyre me procesin e Bolonjës. Bëhet fjalë për ndryshime në ngarkesën e secilit program me lëndë dhe orë në aditor, e cila mund të ndikojë edhe në mësimnxënie dhe në cilësinë e përmbajtjes së secilës diplomë. Meqë këto dukuri janë gjithandej në programet që zhvillohen në Shqipëri, të paktën nga ato që unë njoh, mendoj të ndaj disa mendime me një publik më të gjerë të kësaj fushe. Për mendimin tim ne kemi nevojë shumë të rishohim gjithë Planet tona mësimore, dhe gjithë qasjen tonë ndaj procesit mësimor, për të zbatuar realisht Procesin e Bolonjës, por jo vetëm …
Disa shembuj konkretë mbi gjendjen
Shëmbulli 1: Sivjet filluam Diplomën e dyfishtë bachelor “Natural and Environmental Sciences/Shkenca Natyrore dhe Mjedisore” (3 vjeçare, 180 Kredite), me Universitetin e Tuscia-s, Itali. Ne po përdorim Planin mësimor dhe gjithë Programet lëndore njëlloj si në Universitetin e Viterbos në Itali. Programi i lëndës Plant Biology and Biodiversity/Biologji dhe biodiversitet bimor (Code UniTuscia: 119007- BIO/03), me dy module: Moduli A – Plant Biology (peshë 7/15) dhe Moduli B – Plant Taxonomy and Geobotany (peshë 8/15), ka gjithsej 15 kredite, 104 orë leksione (48 + 56 orë përkatësisht për secilin modul) dhe 16 orë laboratore (8 + 8 orë përkatësisht); të gjitha këto, kërkojnë nga studenti të ndjekë gjithsej 120 orë në auditor, ose 8 orë për kredit (120/15). Mund të thuhet se po kjo peshë për kredit është edhe për gjithë 27 lëndët e tjera të këtij Programi.
Shëmbulli 2: Në Diplomën tonë bachelor në Biologji (3 vjeçare, 180 Kredite), Programi i lëndës Botanikë e Përgjithshme (2022 – 2023), ka gjithsej 8 kredite (42 orë leksione + 42 orë laboratore, pra 84 orë gjithsej në auditor, ose 12 orë për kredit (84/7) + 25 orë praktikë (1 kredit gjithsej). Kjo peshë 12 orë për kredit në auditor është e përafërt për të 35 lëndët që ka programi ynë bachelor. Planet tona mësimore, përveçse janë tepër të ngarkuara me orë në auditor, janë të rënduara edhe me numër lëndësh mësimore. Kjo është një traditë e trashëguar nga e kaluara, e mbështetur dhe nga qasja për ngarkesën dhe ‘çarçafin’ e saj (për të cilën do flas më poshtë). Por unë dhe të tjerët e ndjejmë se e gjithë kjo ngarkesë ndikon në uljen e interesit, të mos ndjekjes rregullisht, dhe pamundësinë fizike të studentit të sotëm për të përvetësuar dijen në gjithë këto lëndë dhe në gjithë Programin mësimor.
Në shembullin e parë nga përvoja e Universitetit të Tuscia-s, nga 375 orë gjithsej (15 kredite x 25 orë) që duhet të punojë një student për lëndën Plant Biology and Biodiversity/Biologji dhe biodiversitet bimor, 120 orë (32% e gjithë kohës së parashikuar në Program) është koha që duhet të ndjekë në auditor, dhe 255 orë mbeten punë e pavarur (68%). Në shembullin e dytë nga Përvoja jonë te Biologjia, nga 175 orë gjithsej (7 kredite x 25 orë) që duhet të punojë një student për lëndën Botanikë e Përgjithshme, 84 orë (48%) është koha që duhet të ndjekë në auditor, dhe 91 orë mbeten punë e pavarur (52%), përfshirë këtu edhe Praktikën në terren. Thuajse në të gjitha lëndët ne kemi zgjedhur maksimumin e qëndrimit në auditor për lëndë (12 orë për kredit ose më shumë). Pa folur pastaj për numrin e lëndëve në vit gjithsej në një Plan mësimor. Plani ynë 3-vjeçar bachelor në Biologji ka gjithsej (13+12+11=36 lëndë me gjithë Diplomën). Plani i Programit 3-vjeçar me Universitetin e Tuscia-s ka gjithsej (9+9+11=29 lëndë me gjithë Praktikën dhe Diplomën), pra rreth 7 lëndë më pak. Edhe këtu vihet re një ndryshim thelbësor i qartë me gjithë programet tanë. Për numrin e përgjithshëm prej 60 kreditesh në vit që zbatohet sot, kërkesë që buron nga procesi i Bolonjës, studenti ynë rri shumë më tepër në auditor dhe zhvillon më shumë lëndë mësimore se në një program studimi Italian.
Reforma e Bolonjës dhe Programet tona të studimit
Sipas reformës së Bolonjës 1 Kredit është i barabartë me 25 orë mësimore, e cila është e saktësuar edhe në VKM 41/2018 dhe gjithë aktet e tjera (pika 2.1b); mesatarisht një student duhet të punojë në një vit për 60 kredite ose 1500 orë mësimore pune (pika 2.1c), ku përfshihen orët në auditor dhe orët e punës së pavarur të tij; më tej saktësohet se orët për punë të pavarur të studentit duhet të zënë jo më pak se gjysmën e kohës së përgjithshme prej 1500 orësh në vit (pika 2.1ç). Unë mendoj se vetëm kaq nuk mjafton!
Kur filluam reformën në përputhje me procesin e Bolonjës në programet e studimit të degëve biologjike në vitin 2005, ndër të tjera u munduam me kolegët Italianë dhe Gjermanë partnerë të sqaronim opinionin e kohës lidhur me normimin e kohës së krediteve në auditor. Në atë kohë caktuam një farë norme: 1 kredit = 8-10 orë për leksionet, 10-12 orë për seminaret/laboratoret/ushtrimet, 1 javë sudim për provimin e lëndës ose për praktikën në terren/shkollë/fermë/fabrikë etj., nga 25 orë gjithsej që duhet të punojë studenti për secilin kredit. Për fat të keq, kjo u pranua deri diku nga ne dhe aq më pak në shkallë vendi; për më tepër, asnjëherë nuk u shkrua qartë në aktet tona zbatuese në fuqi, rregullore njësish bazë apo programesh.
Kjo rëndesë vjen së pari se te ne është ende bindja që studentit duhet t’i jepet sa më shumë të jetë e mundur në auditor. Por edhe sepse puna jonë si staf akademik matet në vite nëpërmjet ‘çarçafit’ të ngarkesës. Sa më shumë ngarkesë, sidomos mbingarkesë për një pedagog aq më mirë është, për vendin e tij të punës, por edhe për një shtesë mbi pagë në fund! Shumëkush prej nesh është munduar të shtojë sasinë e orëve në auditor, pavarësisht aftësisë së studentit për të ndjekuar në mënyrë aktive, dhe për më tepër për të punuar vetë në mënyrë të pavarur për të asimiluar dijet e asaj lënde, dhe kjo edhe në raport me gjithë lëndët e tjera të programit të studimit.
Këtu ka rëndësi të sqaroj edhe një fakt që vjen nga sa shohim në Programin Italian. Mësimi në auditor për semestër zhvillohet vetëm për 12 javë, dhe sudentit i lihen më shumë kohë në dispozicion për të studiuar lëndën. Për të gjitha Programet tona, lëndët planifikohen të zhvillohen në auditor për 13, 14 ose 15 javë për semestër (varet nëse kanë Praktikë ose jo), dhe për një lëndë me provim lihet maksimumi 1 javë, por shpesh edhe më pak për studim vetijak. Madje programet tona kanë edhe lëndë me vlerësim të vazhduar (VLV) që nuk kanë asnjë ditë në fund për të mësuar. Këtu mund të sqaroj se nëse një lëndë me 8 kredite është me provim, dhe asaj lënde në sezon i lihet 1 javë për studim për provim (pra 25 orë), automatikisht kësaj lënde duhet t’i zbritet 1 kredit në normimin e ngarkesës në auditor. Pra studentët tanë janë të detyruar të ndjekin mësimin në auditor disa javë më shumë në vit në programet tona, krahasuar me Programin e Universitetit të Tuscia-s.
Po ashtu për Punën e diplomës ne kemi caktuar në Programet master gjithsej 30 Kredite, këto janë automatikisht 30 javë mësimore, e thënë ndryshe gati një vit akdemik punë e pavarur sipas normimit sot për kreditin. Ndërkohë studentët tanë punojnë për diplomën vetëm një semester (të katërtin), pra faktikisht vetëm 3 muaj ose 10 javë kalendarike gjithsej. Megjithatë, shumë prej studentëve e zgjedhin punën e diplomës që në vitin e parë, dhe punojnë vjedhurazi kush ka dëshirë dhe mundësi; por koha në dispozicion për të punuar është shumë e pakët, për shkak të mbingarkesës në auditor të lëndëve, si e sqarova më sipër. Megjithatë, këtu ne kemi vendosur artificialisht më shumë kredite edhe sa këshillojnë dhe aktet tona për normimin e elementëve të lëndëve mësimore në programet e studimit. VKM 41/2018, Shtojca 1, për gjithë elementët e lëndëve ka vënë disa kritere në përqindje për këtë. Për Detyrimet përmbyllëse (kategoria E), ku futet edhe Provimi i formimit ose Puna e diplomës ajo duhet të jetë: 3-5% në peshë e gjithë Programit, ose 5-9 kredite për Programin Bachelor me 180 kredite gjithsej; 10-20%, ose 12-24 kredite, për Masterin Profesional me 120 kredite; 10-15%, ose 12-18 kredite, për një Master Shkencor me 120 kredite; etj. Ritheksoj se kjo është punë e pavarur ku 1 kredit është baraz me 25 orë, ose një javë kalendarike, e cila është mirë të parashikohet e tillë si kohë pune edhe në Programin mësimor.
Në Planet tona mësimore, sidomos në master kemi vendosur shumë lëndë me zgjedhje, me dëshirën e mirë që t’i japim mundësi shumë ekspertëve të drejtimeve të ndryshme biologjike të transmetojnë dijet dhe përvojën e tyre te studentët. Por ne lëndët me zgjedhje i kemi patur shpesh me detyrim përcaktim për studentin vetëm për lëndë të caktuara, për arsye të plotësimit të ngarkesës, dhe mbulimit të gjithë stafit me ngarkesë. Sot në MSc. Biologji e Mjedisit ka 5 lëndë në profilin bimor dhe 5 lëndë në profilin shtazor = 10 lëndë me zgjedhje gjithsej. Sa mirë do ishte të zhvilloheshin të gjitha! Po kjo do kërkonte një Program të ri paralel më vete. Nëse qasja ndaj ngarkesës së stafit akademik do ndryshonte, lëndë të tillë mund të caktoheshin me rregullore të jepeshin të paktën nga ata studentë që punojnë për diplomë në atë fushë, ose afër asaj fushe që mbulon secila nga këto lëndë, ose dhe të zgjidheshin me vetë dëshirën e studentit. Por titullari i secilës lëndë mbase nuk duhet të ketë nevojë të zhvillojë mësimin tradicional me 1 ose 2 studentë. Ai mund t’u japë atyre Programin e lëndës, u bën një, dy ose më shumë konsultime dhe i merr këta në provim në fund. Kjo mund t’i quhej një farë ngarkese, por jo e plotë. Një mënyrë e tillë do t’i mbante gjithë lëndët aktive, këto dhe të tjera. Por një ndryshim i tillë do kërkonte një saktësim në Rregulloren e UT lidhur me zhvillimin e lëndëve me zgjedhje dhe ngarkesën përkatëse.
Mësimdhënia dhe harmonizimi i saj me kërkimin
Aktet në fuqi sot lejojnë të zhvillohen, madje edhe të paguhen, shumë orë jashtë ngarkese, madje shumë orë edhe si pedagog i jashtëm diku në një nga 40 IAL-të e vendit, duke i kthyer sot shumë pedagogë si mësues shkolle dhe jo si punonjës institucioni mësimor-kërkimor. Këtë e rregullon Udhëzimi 29/2018 i MAS (Kreu II, pika 1). Sipas këtij Udhëzimi, ngarkesa mësimore normale në auditor sipas titujve dhe gradave luhatet nga 140 orë në vit për profesorin në 195 orë për lektorin vetëm me gradë shkencore ose asistentin. Por po në këtë pikë, po ky staf lejohet të zhvillojë mësim deri në 200 orë suplementare; madje në vazhdim po aty thuhet se në raste të caktuara dhe miratimin e përgjegjësit të njësisë bazë mund të japë edhe 100 orë më shumë se kaq (pra deri në 300 orë mësim shtesë)!!! Por me këtë Udhëzim është bërë edhe më shumë. Në Pikën 2, në vazhdim, po ky staf akademik mund të japë mësim si personel akademik me kohë të pjesme (si i jashtëm) deri në 120 orë mësimi shtesë.
Natyrisht, ngarkesa mësimore nga nga 140 orë në 195 orë në vit ka një arsye, e cila lidhet me kohën që duhet t’i mbetet në dispozicion stafit akademik për më shumë punë shkencore, më shumë projekte, më shumë punë me studentët dhe me punë të tjera në ndihmë të zhvillimit të vendit. Por jo! Ky lloj normimi është shumë në ndihmë të mësimdhënies pa kufi, sidomos në ndihmë të gjithë IAL-ve të tjera që kanë staf të kufizuar, sidomos të IAL-ve private, që kanë të punësuar më shumë staf akademik të jashtëm. Këtu, profesori është më i privilegjuar se të tjerët për shkak të normës më të ulët. Po këtu dua të shtoj edhe numrin e lartë të lëndëve që lejohet një staf akdemik të zhvillojë brenda një viti; në disa programe studimi ku unë kam qënë si vlerësues i jashtëm kam parë që një pedagog mund të zhvillojë deri në 7 lëndë në vit, ndonjëherë edhe me përmbajtje nga fusha të ndryshme të dijes që mbulon programi.
Pavarësisht gjithë përpjekjeve, ndryshimit 3 herë në këta 30 vite të Ligjit të AL, asnjëherë nuk u gjet një formulë e qartë e matshme për mësimdhenien, dhe për pjesën tjetër të kohës që është kërkimi. Kërkimi duhet harmonizuar mirë me mësimdhënien, pasi cilësia e mësimdhënies është e lidhur shumë ngushtë më aftësitë e secilit në punën kërkimore. Për mua kush zhvillon mbi 30% mbingarkesë gjatë vitit, kudo që ta zhvillojë atë (brenda apo jashtë institucionit) kjo bëhet në kurriz të cilësisë dhe performancës së ulët në punë kërkimore. Ritheksoj se ky rreth vicioz mësimdhënie-kërkim duket qartë edhe nga pozicionimi i keq në rankim i stafit akadmik dhe i IAL-ve shqiptare në shkallë europiane dhe më gjerë.
Është dhe një fakt tjetër që rëndon më tej për cilësinë e mësimdhënies, por edhe të punës kërkimore, ai i hapësirave të munguara qoftë në mësimdhënie dhe në kërkim. Kjo sjell një orar mësimi tepër sportiv, ku studenti duhet të ndjekë mësimin me shkëputje, 3-4 orë mësim paradite, dhe 3-4 orë të tjera pasdite për mungesë hapësirash. Vetë hapësirat e punës kërkimore për studentët dhe për stafin janë shumë të cunguara dhe nuk lejojnë shumë për punë të pavarur për të gjithë aktorët, studentë dhe pedagogë.
Këto dhe të tjera fakte që janë përmendur nga unë dhe të tjerë edhe më parë, si mangësitë në ligj dhe katet e tjera, numri i lartë i IAL-ve, qasja student/klient, rregullat e pabarabarta në financim dhe drejtim mes sistemit publik dhe privat, financimi i ulët në sistemin publik (paga, kërkim etj.), pengesa burokratike në autonminë financiare të IAL-ve publike, shpërndarja e pabarabartë e kuotave sipas degëve dhe nevojave në vend etj., e bëjnë reformimin në gjithë sistemin e lartë arsimor urgjent. Më shumë për këto mund të lexohet në: https://javanews.al/nje-shikim-ndryshe-per-greven-e-pedagogeve-dhe-ndihmen-ndaj-reformes-ne-arsim/
Unë mendoj se ne nëpër Departamente kemi detyrimin tonë ta bëjmë një reformë të tillë me Planet tona mësimore, dhe Programet lëndore të secilit. Nuk na duhet të shpikim. Mjafton të zjedhim një Plan mësimor të ngjashëm nga Rajoni, që na përshtatet më mirë dhe ta vëmë në zbatim. Nga ana tjetër nga Qeveria dhe Rektoratet, mirë është të vendosin ca rregulla më të qarta për këtë, qoftë për ngarkesën/mbingarkesën, dhe matjen e performancës së secilit prej nesh në kërkim dhe mësimdhënie, si dhe harmonizimin si duhet mes këtyre dy shtyllave të shkollës së lartë. Po ashtu edhe rishikimi i normës për hapësira pune kërkimore reale duhet parë dhe gjetur një zgjidhje funksionale, për më shumë mbështetje financiare etj. Edhe këtu nuk kërkohen shpikje dhe rrugë të pashkelura, mjafton të përshtatim përvojën e vendeve në rajon. Asnjëherë nuk është vonë për ndryshim!
*Departamenti i Biologjisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës. e-mail: al********@fs**.al