Kreu i grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj ka zhvilluar ditën e sotme një takim me demokratët e degëve të Partisë Demokratike në Tiranë. Gjatë diskutimit, Alibeaj është ndalë edhe tek ‘lufta’ për vulën e Partisë Demokratik, ku ka pasur një mesazh për grupin e Sali Berishës.
Sipas Alibeajt, më 3 mars, ditën që do shqyrtohet çështja e vulës së PD-së, do të fitojë e drejta dhe se grupi i Berishës nuk kishte të drejtë të shkonte as në Gjykatë.
Alibeaj hodhi akuza edhe kundrejt gjyqtarit Agron Zhukri që i dha partinë Sali Berishës me vendimin që u mor në Gjykatën e Shkallës së Parë. Alibeaj thotë se vendimi u mor nga që gjykatës i korruptuar.
“Çdo të bëhet në datën 3? E drejta do të fitojë, ligji do të fitojë, kontributi do të fitojë, historia do të fitojë, e ardhmja e Partisë Demokratike do të fitojë. Ndaj, qetësohuni sepse ajo që vjen pas datës 3, në çdo rast do të jetë një barrë më e madhe për demokratët, një peshë përgjegjësie më e madhe sesa sot për demokratët, për shqiptarët dhe për Shqipërinë.
Kjo është ajo e cila realisht më preokupon mua sesa teknikalitetet e vendimit. Doni për vendimin? As kanë të drejtë të shkonin ata në gjykatë, as kanë prova ata të shkonin në gjykatë. Me një gjykatës, i cili, të gjithë e dimë, i korruptuar politikisht dhe në presionin e të gjithë atyre elementëve, edhe financiare dha atë lloj vendimi”, theksoi ai.
Data 3 mars do të jetë ‘beteja’ përfundimtare mes dy kampeve brenda Partisë Demokratike, pasi Gjykata e Apelit do të vendosë se kush do ta drejtojë partinë, Sali Berisha apo Enkelejd Alibeaj, më këtë të fundit që ka aktualisht edhe vulën e partisë.
Duhet theksuar se Apeli ka vendosur që të shqyrtojë ‘çështjen më të nxehtë’ të momentit, 3 ditë para regjistrimit të partive politike për zgjedhjet vendore. Prandaj është shumë i rëndësishëm, pasi kështu do të mësohet edhe fati i Sali Berishës në zgjedhjet e 14 majit se si do të regjistrohet në zgjedhje në një kohë kur i ka zyrtarizuar kandidatët në të gjitha Bashkitë e vendit. Nga ana tjetër Berisha ka paralajmëruar se do të zhvillojë një protestë kombëtare në po të njëjtën ditë.
/e.d