I përjashtuar me vendimin e “Etikës” për 10 ditë nga seancat parlamentare, deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi deklaroi sot për mediat se kjo është një shkelje brutale e Kushtetutës.
Bylykbashi theksoi se ankimimi i sotëm drejtuar Byrosë së Kuvendit nuk u shqyrtua siç e parashikon ligji, por sipas tij u mor një vendim i formës së prerë pa dëgjuar asnjë nga deputetët.
“Me një vendim të tipit fashist, përsëri u përjashtuan deputetë të opozitës nga pjesëmarrja në seancë parlamentare. Kjo është në vazhdën e përjashtimeve ku mbi 20 deputetë janë përjashtuar vetëm e vetëm se kërkojnë një të drejtë kushtetuese në emër të qytetarëve.
Kontrolli i qeverisë është detyra e opozitës. Kemi këkruar ngritjen e një komisioni hetimor për të hetuar skandalin më të paprecedentë, atë ku Kryeministri nëpërmjet korruptimit të McGonigal synoi të shkatërronte demokracinë. Kërkojmë që të hetohet me themel e gjitha afera që synon shkatërrimin e pluralizmit në Shqipëri dhe qeverisjen autokratike të Edi Ramës. Për këtë arsye, deputetët u përjashtuan. Mbi 750 mijë zgjedhës përfaqësojmë, kemi vendosur që të mos zhvillohen seanca normale derisa të hidhet poshtë ky vendim.
Kemi kërkuar ne sot që ai vendim i mëhershëm që na përjashtoi, të anulohet si anti kushtetues në shkelje të të drejtave të deputetëve. Ne kemi të drejtën të marrim pjesë në Parlament për shqyrtimin e kërkesës tonë, të dëgjohemi. Ju jeni dëshmitarë, ju e patë se si Garda urdhërohet të pengojë deputetët duke ushtruar dhe dhunë fizike. Mblodhën Byronë shpejt e shpejt dhe kanë marrë një vendim të formës së prerë, pa dëgjuar deputetët. Është shkelje brutale e Kushtetutës!”, tha Bylykbashi.
/a.r