Prokurorët italianë janë duke e hetuar djalin e presidentit turk, Recep Tajip Erdogan, për pastrim parash. Hetimi ka filluar, pasi autoritetet italiane ishin lajmëruar nga biznesmeni turk Murat Hakan Uzan, kundërshtar i Erdoganit në azil politik. Djali i Erdoganit u zhvendos në Bolonjë për të përfunduar studimet e tij të doktoraturës, por ai u akuzua për korrupsion nga partitë e anti-qeveritare, raporton AP. Bilal i cili jeton në qytetin verior të Italisë, së bashku me gruan dhe dy fëmijët e tij, këmbënguli se ai vazhdon të qëndrojë në Itali për shkak të shkollimit të tij. 35-vjeçari ishte një nga protagonistët kryesorë të përfshirë në akuzat për korrupsion të vitit 2013, gjë e cila u mohua ashpër nga Erdogani, i cili në atë kohë gëzonte postin e kryeministrit. Sipas padisë së Uzanit, Bilali ka fluturar drejt Italisë më një ‘shumë të madhe parash’ dhe me një ekip truprojash, të cilët sipas mediave italiane, kanë udhëtuar me pasaporta diplomatike.