Pak më shumë se 3 orë është marrë në pyetje në SPAK kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta. Për 180 minuta Meta ka dhënë përgjigje për çdo lidhje me aferën CEZ-DIA, një histori privatizimi dhe abuzimi që i kushtoi vendit 414 milionë euro dëm.
Meta është akuzuar vazhdimisht se ka përfituar miliona nga kjo aferë, sidomos me lidhjet me Kastriot Ismailajn, administrator i DIA dhe i dënuar më parë nga gjykata, por së fundmi një dëshmi e Elvis Matës, një ish drejtor në DIA dhe ish drejtues i LRI-së në vitin 2005, mund t’i ketë qartësuar gjërat për prokurorët e SPAK.
Burime bëjnë me dije se Mata mund të jetë bërë ‘bashkëpunëtor i drejtësisë’. Vetë Meta e quajti ‘mashtrues ordiner, të cilin LSI e ka përjashtuar që në vitin 2005’.
“Pa asnjë diskutim, nuk ekziston asnjë akt, asnjë dokument që Ilir Meta në çdo lloj detyre të ketë favorizuar ndonjë kompani. Faktet tregojnë qartë se Ilir Meta ka mbrojtur vetëm interesin publik. Bashkëpunëtor dihet se kush është! Fuga. Ai bën portalet dhe ata bëjnë kallëzimet. Mund t’ju them se përgjigjen më të shkurtër e kam dhënë për këtë person, mashtrues, të përzënë nga LRI që në 2004-2005 (Matën). Kushdo që ka probleme me drejtësinë, mund të marr status. Është i autorizuar SPAK që ta përdorë përgjigjen time, gjithçka është mashtrim ordiner. Këtu janë mal dosjet dhe kallëzimet e bëra, edhe nga unë. Për mld euro që i kushtojnë qytetarëve shqiptarë dhe shumë të tjerëve dëme”, tha Meta.
Ilir Meta u shpreh se nuk ka asnjë lidhje me marrëveshjen CEZ-DIA. Ai tha se SPAK riaktivizohet sa herë ‘Rilindja’ sipas tij është në krizë. Për kreun e Partisë së Lirisë nuk ekziston asnjë akt, asnjë dokument që Ilir Meta në çfarëdolloj detyre të ketë favorizuar këdo.
“Endri Fuga bën portalet, portalet krijojnë shqetësimin e arsyeshëm dhe lindin çështjet”, tha Meta.
Meta akuzoi Partinë Socialiste se e përdor këtë çështje, në favor sa herë gjendet në vështirësi dhe krizë.
“Nuk është përgjegjësia ime që keni pritur këtu disa orë është një çështje shumë e përsëritur dhe aktivizohet sa herë që rilindja është në krizë
Në daljen e tij para gazetarëve, Meta u pyet dhe nëse ka frikë nëse ka hedhur ndonjë firmë që mund ta çojë në burg.
“Mos more”, u përgjigj shkurt ai.
Në prill të vitit 2022, SPAK ka rihapur dosdjen CEZ-DIA të vjedhjes së parave publike. Arben Kraja dhe Altin Dumani po ndjekin këtë hetim, ndërsa kanë pyetur një ndër kryesorët e kësaj afere, Kastriot Ismailajn, i dënuar me 11 vite burg. Rihpaja e hetimit erdhi pas një kallëziimi në SPAK nga Partia Socialiste.
Skandali i ka fillesat në vitin 2009, kur OSSH shiti 75% të aksioneve tek CEZ-DIA, gjatë qeverisjes së Sali Berishës, ndërsa në vitin 2013, kur socialistët morën pushtetin, u bë ndërprerja e kontratës abuzive. Prishja e kësaj marrëveshje që i shkaktoi buxhetit një dëm mbi 414 mln euro, u bë me argumentin se CEZ nuk kishte bërë asnjë prokurim për të importuar energji elektrike në vjeshtën e 2012, dhe në këto kushte e gjithë kërkesa për energji elektrike përballohej nga rezerva e kaskadës se Drinit.
Në fund të vitit 2015, Ministria e Energjisë dhe Industrisë që drejtohej nga Damian Gjiknuri, kallëzoi në Prokurorinë e Përgjithshme ish ministrat (Ridvan Bode, ish-ministër i Financave, Florion Mima, ish-ministër i Ekonomisë, Genc Ruli, ish-ministër i Ekonomisë etj) dhe ish drejtorët e Berishës për shpërdorim detyre në bashkëpunim dhe shkelje, duke favorizuar CEZ me çmimin e energjisë elektrike, faljen e detyrimeve dhe njohjen e borxhit të keq.
Por Prokuroria e Përgjithshme e drejtuar në atë kohë nga Adriatik Llalla, i emërruar nga Berisha dhe Meta, sot i shpallur non grata nga SHBA dhe i dënuar në mungesë me 2 vite burg për fshehje të pasurisë, e mbylli dosjen me arsyetimin se procedura e privatizimit të OSSH nga qeveria Berisha ishte në përputhje me ligjin. Pavarësisht ankimimit nga socialistët, Gjykata e lartë konfirmoi mbylljen e dosjes nga një trupë gjykuese që sot vetëm njëri prej tyre nuk u dogj në vetting.
Më tej, Kuvendi i Shqipërisë dhe juristi i CEZ Romeo Kara referuan edhe dy dosje të tjera në Prokurori, me prova të reja, ndërsa si të kallëzuar u shtuan Sali Berisha, Shkëlzen Berisha dhe sekseri kryesor Nuel Kalaj. Të dyja dosjet u mbyllën! Në 2016-ën socialistët ngritën një komision hetimor përmes të cilit i kërkuan prokirorisë të hetojë Berishën dhe djalin e tij si persona përgjegjës për privatizimin abuziv të OSSH, por gjithçka kaloi në heshtje nga drejtësia e kohës.
Dënimi i Kastriot Ismailajt dhe lidhja me Metën
Për dosjen e CEZ-DIA është dënuar me 11 vite burg Kastriot Ismailaj, administrator i kompanisë DIA. Vetëm në një rast, 1 ditë para zgjedhjeve të 28 qershorit 2019, Meta dyshohet se i ka kërkuar Kastriot Ismailajt 200 mijë (besohet euro) me urgjencë. Jozef Hejsek ka deklaruar më parë se ish-shefi ekzekutiv i CEZ, ka deklaruar Ilir Meta ka rekomanduar Kastriot Ismailajn me kompaninë DIA si “njeriun e tij të besuar” për mbledhjen e borxheve të vjetra për llogari të CEZ. Dritan Prifti, një nga njerëzit më të afërt të Ilir Metës, ka rrëfyer se Meta pati udhëtuar në Çeki për të negociuar kontratën për Kastriot Ismailajn, të cilin e konsideronte si një person me dosje. Gruaja e Kastriot Ismailajt, Vojsava, ka rrëfyer lidhjet e forta mes Ilir Metës dhe bashkëshortit të saj. Ajo ka treguar për vizitat familje dhe SMS-të që Meta i niste Kastriot Ismailajt duke i kërkuar para. Në dosjen e dënimit të Kastriot Ismailaj me 11 vite burg, dënim i konfirmuar nga të gjitha shkallët e gjykatave, prokuroria ka konstatuar se qëllimi i Kastriot Ismailaj nuk ka qen mbledhja e borxhit të për llogari të CEZ dhe as kryerja e ndonjë pune reale, por vjedhja e parave tё CEZ, sigurisht në bashkëpunim me CEZ, pasi CEZ nuk humbiste asgjë, por xhepat e shqiptarëve.
Kastriot Ismailaj është dënuar në vitin 2017 me 11 vite burg për “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”. Gjykata ka urdhëruar edhe sekuestrimin e 5 milionë eurove. Ai ishte administrator i kompanisë DIA, e ngarkuar për mbledhjen e borxheve të CEZ, ku u përfshi në një skemë mashtrimi, duke shkatërruar edhe raportet mes shtetit shqiptar dhe CEZ, me kosto të madhe për buxhetin e shtetit.
Ai u arrestua në 12 maj të vitit 2015 nga Sektori i Pastrimit të Parave dhe ai i Krimit Ekonomik dhe Financiar ne Policinë e Shtetit për veprën e mashtrimit në shuma të mëdha dhe pastrimit të produkteve të veprës penale. Në 6 muaj, 9 kompani private përfituan nga CEZ-i 12 milionë USD nga kontratat për mbledhjen e borxheve të papaguara. Pjesën më të madhe të fondeve e ka marrë “Debt International Management”, me administrator Kastriot Ismailaj, 649 milionë lekë, ose gati 6.5 milionë dollarë.
Nga “Debt International Advisori” paratë kanë dalë nga Shqipëria duke hyrë në llogaritë e dhjetëra kompanive të tjera, që veprojnë në rreth 15 shtete. Sipas burimeve nga prokuroria, bëhet fjalë për shuma financiare që ka dyshime të forta se i përkasin njerëzve të politikës dhe personave VIP në Shqipëri, pasi kjo kompani fantazmë nuk ka kryer as vjeljen e borxheve të “CEZ Shpërndarje”, për të justifikuar transfertat, aq më tepër që shuma e transferta është shumë më e madhe se 5 milionë euro. Kastriot Ismailaj, nën “maskën” e marrëveshjes me kompaninë çeke, “CEZ Shpërndarja”, për mbledhjen e borxheve kreu mbi 100 transaksione bankare, para këto që kanë qenë të personave të rrethit shoqëror të tij./shqiptarja.com