Vendimi i Rusisë për të pezulluar pjesëmarrjen nga traktati i rëndësishëm për reduktimin e armëve bërthamore, New Start, ka vënë në alarm komunitetin ndërkombëtar.
Organizata e Kombeve të bashkuara reagoi se një botë pa kontroll të armëve bërthamore, është shumë më e rrezikshme dhe e paqëndrueshme, dhe i bëri thirrje Moskës të tërheqë vendimin e njoftuar të martën.
“Një botë pa kontroll të armëve bërthamore është shumë me e rrezikshme dhe e paqëndrueshme, me pasoja potencialisht katastrofike. Duhet bërë çdo përpjekje për të shmangur diçka të tillë, përfshirë përmes një rikthimi të menjëhershëm tek dialogu”, u shpreh zëdhënësi i OKB, Dujarriç.
Në të njëjtën linjë ishte edhe deklarata e mëhershme e shefit të NATO, Jens Stoltenberg.
“Më shumë armë bërthamore dhe më pak kontroll e bën botën më të rrezikshme dhe kjo është arsyeja përse ne të NATO jemi përpjekur aq shumë të angazhojmë Rusinë në çështje të kontrollit të armëve. I bëj thirrje Rusisë të rikonsiderojë vendimin”, tha Stoltenberg.
Sipas analistëve, pezullimi i pjesëmarrjes së Rusisë në traktat, kërcënon kanalet dypalëshe të dialogut mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë dhe vë në rrezik kontrollin dhe çarmatosjen nukleare në të ardhmen.
Teksa njoftoi pezullimin e pjesëmarrjes në traktatin bërthamor, Putin paralajmëroi të risinë testimet e armëve nukleare nëse Shtetet e Bashkuara do ta bëjnë diçka të tillë.
E megjithatë, pas fjalimit, Kremlini la të hapur mundësinë e bisedimeve për rikthim në traktat dhe theksoi se do të respektojë kufizimet që parashikon ai.
Sipas traktatit, të nënshkruar në vitin 2010 dhe të vlefshëm deri në vitin 2026, Moska dhe Uashingtoni zotohen të mbajnë jo më shumë se 1,550 testata strategjike bërthamore të dislokuara dhe një maksimum prej 700 raketash me rreze të gjatë veprim dhe avionë bombardues strategjikë.
/a.r