Policia greke është duke kryer hetime intensive për të zbuluar misterin që fshihet pas vrasjes aksidentale të një shqiptari në Athinë të martën në mbrëmje. Autoritetet janë duke këqyrur kamerat e sigurisë dhe dëshmitë e të pranishmëve në ngjarje për të zbuluar rrethanat e plota të këtij rasti të rëndë.
CNN grek thotë se gjërat janë komplikuar duke pasur parasysh se viktima ishte klient i rregullt në lokal dhe nuk kishte të bënte fare me grupin e shqiptarëve që u përfshinë në sherr. Dëshmia e pronarit dhe e një kamariere janë kontradiktore kur flitet se çfarë ndodhi brenda kafenesë.
Ende nuk dihet se kujt i përkasin 6 gëzhojat e gjetura, por sipas të njëjtave burime dyshohet se janë përdorur 2 armë. Grupi i shqiptarëve është futur në lokal pak para mesnatës dhe janë ulur në një tavolinë të veçuar.
Nuk kaluan shumë minuta dhe kur kamarierja u kishte dërguar vetëm gotat me ujë, papritur ata janë larguar. Pasi kanë shkuar tek dera kryesore janë dëgjuar të shtënat, të cilat fillimisht plagosën shqiptarin, i cili po qëndronte vetëm.
Të tjerët që kanë qenë të pranishëm janë munduar të largohen për të shpëtuar. Më pas ka ardhur një ambulancë që çoi shqiptarin në spital. Këtu ky i fundit ka humbur jetën.
Identiteti i tij mbetet ende i panjohur pasi nuk kishte mjet identifikimi me vete. Megjithatë, të tjera media thonë se bëhet fjalë për një 30 vjeçar. Ditën e sotme pritet që policia të marrë gjurmët e gishtërinjve për të zbuluar emrin e tij.
Ndërkohë 7 shqiptarët e tjerë të cilët po konfliktoheshin janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Aty ka ngelur një makinë tip “Jeep” që dyshohej se i përkiste një prej tyre. Policia po punon për t’i arrestuar ata.
/a.r