Një vit nga momenti kur Rusia vendosi të sulmojë ushtarakisht Ukrainën, Vladimir Putin doli në një konferencë për shtyp për të bërë bilancin e këtij agresioni.
Ai e drejtoi gishtin drejt Perëndimit dhe shtoi se lufta mund të ishte evituar.
“Ne po bënim gjithçka që ishte e mundur për ta zgjidhur këtë problem me Ukrainën në mënyrë paqësore, duke negociuar një rrugëdalje paqësore nga ky konflikt i vështirë, por pas shpine po përgatitej një skenar krejt tjetër.Ata thjesht po luanin me kohën, duke mbyllur sytë ndaj vrasjeve politike, keqtrajtimit të besimtarëve,” tha ai.
Në fjalën e tij Presidenti nuk la pa komentuar as Konferencën e Sigurisë së Mynihut të javës së kaluar. Putin shpalli përgjegjës vendet perëndimore për situatën e krijuar, duke i akuzuar se po vjedhin përmes sloganeve për liri.
“Flijimet njerëzore dhe tragjeditë nuk llogariten prej tyre… Ata duhet të vazhdojnë të vjedhin nga të gjithë, duke u maskuar me slogane demokracie dhe lirie”.
Sipas tij Perëndimi nxori “xhindin nga shishja” për të mbuluar skandalet e korrupsionit dhe zhytur botën në kaos.
“Perëndimi po largon vëmendjen e njerëzve nga skandalet e korrupsionit.”
Përgjatë një viti luftë mes Ukrainës dhe Rusisë, janë shënuar mijëra viktima mes civileve ukrainas dhe ushtarave rus, qindra dhe mijëra njërez janë zhvendosur nga shtëpite e tyre ndërsa dëmet material vlerësohen në miliarda euro.
/a.r