Partia Demokratike ka reaguar përmes një njoftimi zyrtar pas kërkesës së deputetëve të PS-së për përjashtimin e 6 deputetëve të tjerë të opozitës.
Mbledhja e Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën po zhvillohet 4 ditë pas dorëzimit të kërkesës së socialistëve, gjë që sipas opozitës është në shkelje të rregullores.
“Sipas Rregullores, sekretariati duhej të ishte mbledhur 48 orë pas dorëzimit të kërkesës së deputetëve socialistë, pra më datë 19 Shkurt”, theksohet në reagimin zyrtar.
Njoftimi i plotë i PD-së:
Deputetë të PS kërkojnë përjashtimin e 6 deputetëve të tjerë të opozitës. Kërkesa mban firmëtar të parë Baftjar Zeqajn i cili u kap nga media duke shkelur Rregulloren e Parlamentit pasi votoi hapur për kolegen socialiste e cila nuk ndodhej në seancë.
Me këtë kërkesë rreth gjysma e grupit parlamentar të PD është përjashtuar nga seancat e fundit parlamentare. Seancën e së enjtes nuk do të jenë prezentë 8 deputetë mes tyre Kryetari i PD Sali Berisha dhe Sekretari i Përgjithshëm i PD Flamur Noka.
Me një akt të papreçedentë, socialistët në mungesë argumentash mbrojtës për skandalin e lidhjeve korruptive të Edi Ramës dhe McGonigal, kanë zgjedhur që çdo seancë të përjashtojnë deputetë të opozitës.
Socialistët sërish në shkelje kërkojnë mbledhjen e Sekretariatit jashtë afatit, 4 ditë pas dorëzimit të kërkesës.
Sipas Rregullores, sekretariati duhej të ishte mbledhur 48 orë pas dorëzimit të kërkesës së deputetëve socialistë, pra më datë 19 shkurt.
Sekretariati për Proçedurat dhe Votimet e pritet të përjashtojë deputetët e PD.
1. Edmond Spaho
2. Elda Hoti
3. Sorina Koti
4. Oerd Bylykbashi
5. Lindita Metaliaj
6. Greta Bardeli
/a.r