Seancat e pazakonta të zhvilluara në Kuvendin e Shqipërisë ditët e fundit, kanë sjellë tensione mes palëve politike në Shqipëri, duke shkaktuar edhe përjashtimin e 12 deputetëve të opozitës për shkak të shkelje të etikës në parlament.
Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi dhe deputeti i PD, Edmond Spaho kanë qenë të ftuar në studion e emisionit “5 pyetjet” me gazetarin Ilir Babaramo me Report TV ku folën për zhvillimet më të fundit në vend dhe përplasjen e ashpër politike mes mazhorancës dhe opozitës.
Sa i takon revoltimit të tij në Kuvend, ku për orë me rradhë i ra bilbilit, Spaho tha se qëllimi i tij ishte që seanca parlamentare të mos zhvillohej.
“Se më kanë pyetur edhe analistë të ndryshëm pse e bëra atë që i rashë bilbilit në seancë. Unë e bëra për ta prishur seancën. Bën përshtypje bilbili që i bie unë por 400 milionë eurot e inceneratorëve nuk u bëjnë përshtypje. 30 milionë që i ka marrë McGonigal nuk bëjnë përshtypje.
Nuk e keni dëgjuar këtë? Washington Ekzaminor, dhe media të tjera e kanë nxjerrë këtë shumë. Nuk ju bëjnë përshtypje 1.2 milionë eurot e sekretarit të përgjithshëm të ministrisë së Financave që tashmë e kanë çuar në arrest shtëpiak. 600 mijë euro të një drejtoreshe të ministrisë, nuk ju bëjnë përshtypje”-tha Spaho duke shtuar se revoltimi i tij është si rezultat i rregullave kushtetuese që Rama i shkel për interesat e tij personalë.
Arsyeja për mungesa e ngjalljes së shpresës nga opozita, ishte pyetje e drejtuar ndaj Kryemadhit, e cila tha se shkak për këtë janë edhe presionet psikologjike të ushtruara ndaj qytetarëve të cilët takohen me përfaqëesues të opozitës.
“Është opozita e keqja e këtij vendi. Por nuk është opozita më e keqja e këtij vendi. Unë po ndjek këmbë këmbës Belind Këlliçin në fushatë. E dini ju se Këlliçi është bllok edhe në të gjitha televizionet e opozitës? Ka të bëjë me dhunën psikologjike të ushtruar tek qytetaria. Në momentin që mua më shikon me pronarin e lokalit, ta dish që nesër i shkojnë tatimet, task-forcat dhe ua mbyllin bizneset. Kanë arritur deri aty ku u thonë maturantëve se do u rrisin mesataren nëse votojnë Erion Veliajn”-tha Kryemadhi.
Duke përmendur edhe protestën e sotme të qytetarëve për neglizhimin e vdekjes së 22 vjeçares keniane e cila u dhunua në Tiranë, Kryemadhi tha se kur opozita organizon protesta të tilla për të nxcitur hetimet, kishte reagime edhe të ndërkombëtarëve të cilët kërkonin të mos i bëhej presion drejtësisë./m.j