Ndërsa qeveria përgatitet të prodhojë vetë pasaportat shqiptare, një reagim vjen nga delegacioni i BE në Tiranë. Në përgjigje të interesit të ABC News lidhur me këtë çështje, delegacioni i BE, thotë se pret të informohet nga autoritetet shqiptare për standardet e sigurisë që do të zbatohen për dokumentet e reja.
Delegacioni thekson ndër të tjera se është thelbësore që të zbatohen standarte të forta sigurie gjatë prodhimit të këtyre dokumenteve.
“Ne jemi të gatshëm që ekspertët e Komisionit Evropian të shqyrtojnë procedurat e lëshimit dhe dokumentet e reja të identitetit që do të prodhohen. Dëshirojmë të kujtojmë se siguria e dokumenteve ishte një nga standartet e përfshira në udhërrëfyesin e liberalizimit të vizave, që çoi në regjimin pa viza për qytetarët shqiptarë kur udhëtojnë drejt BE-së që prej vitit 2010. Prandaj është thelbësore që të zbatohen standarte të forta sigurie gjatë prodhimit të këtyre dokumenteve.”- thuhet në reagim.
Përgjigjja e plotë e delegacionit të BE në Tiranë për gazetaren e ABC News, Esiona Konomi:
Autoritetet shqiptare janë të lira të zgjedhin çdo ofrues që dëshirojnë për prodhimin dhe shpërndarjen e pasaportave dhe kartave të identitetit.
Çdo ofrues i ri duhet të përmbushë standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO) për sa i përket sigurisë së pasaportave, që përfshin, ndër standardet e tjera, infrastrukturën e përshtatshme, siç janë mjediset e sigurta të stampimit.
Gjithashtu, çdo vend që përfiton nga regjimi i liberalizimit të vizave pritet të zbatojë standardin më të lartë të ekspertizës dhe integritetit në prodhimin e dokumenteve biometrike. Procesi i menaxhimit të identifikimit dhe mbrojtjes së të dhënave të qytetarëve është me rëndësi shumë të madhe.
Presim që autoritetet shqiptare të na informojnë për standardet e sigurisë që do të zbatohen për dokumentet e reja.
Ne jemi të gatshëm që ekspertët e Komisionit Evropian të shqyrtojnë procedurat e lëshimit dhe dokumentet e reja të identitetit që do të prodhohen.
Dëshirojmë të kujtojmë se siguria e dokumenteve ishte një nga standartet e përfshira në udhërrëfyesin e liberalizimit të vizave, që çoi në regjimin pa viza për qytetarët shqiptarë kur udhëtojnë drejt BE-së që prej vitit 2010. Prandaj është thelbësore që të zbatohen standarte të forta sigurie gjatë prodhimit të këtyre dokumenteve./m.j