Nga Artur Ajazi
Sali Berisha, u kërkoi demokratëve “të frymëzohen nga revolucioni i 1990-1991 për të rrëzuar Edi Ramën dhe fituar pushtetin”. Paralele më të pagjetur nuk ka, dhe frymëzim më “pa frymë” nuk mund të dëgjosh. Se si mund të “frymëzohen shpirtërisht demokratët e sotëm të Berishës nga revolucioni i 1990-1991” për të rrëzuar me demek “Edi Ramën nga pushteti”, këtë vetëm një mëndje si ajo e ish-liderit e kurdis. Asnjë shpjegim teorik dhe aktual, nuk ka kërkesa e Berishës. Asnjë lidhje nuk ka mes “revolucionit të sotëm”, dhe atij të 32 viteve më parë. E para, në 1990 dhe 1991, në Tiranë dhe kudo u ngritën studentët dhe sindikatat e pavarura, për të kundërshtuar dhe larguar nga pushteti ish-komunistët që e mbajtën atë jo pak, por 45 vite.
E dyta, revolucioni i 1990-1991, ishte në kushte të tjera politike, sociale, shoqërore dhe ekonomike. Dhe e treta, ai nuk mund të thotë sot se ishte “revolucion”, pasi në lojë ishte realisht Sigurimi i Shtetit dhe PPSH. Por Sali Berisha kujton se, 20 apo 25 vjeçarëve sot, mund tu përrallisë dhe tu tregojë “histori me revolucione demokratike dhe përmbysje sistemi komunist”, me synimin se mund ti ngrejë ata kundër qeverisë Rama. Por ish-lideri harron se, Edi Rama sot është kryeministër legjitim, i ardhur me shumicën e votave të lira dhe demokratike në pushtet. Se Edi Rama sot, është kryetar i një partie që ka shumicën e votave në shkallë vendi, se Edi Rama nuk ka qenë asnjë ditë komunist (ndryshe nga Berisha që e ka mbajtur teserën e PPSH 25 vjet), dhe se në Shqipëri nuk ka “regjim apo diktaturë”, por rend demokratik, drejtësi të pavarur dhe vendi është anëtar i NATO-s, gati për anëtarësim në BE. Por kjo duket se nuk ka rëndësi për Berishën. Jetike për ish-liderin mbetet mbajtja në karikim e turmave që i kanë mbetur, inkurajimi i tyre me profka të tilla si “revolucioni i 1990-1991 që përmbysi diktaturën”, apo dhe pallavra të tjera.
Berisha harron dhe sajon qëllimisht fakte të paqena, sikur “ai dhe partia e tij përmbysën regjimin enverist”, në një kohë që në partinë e tij, 80 per qind ishin ardhje nga ish-Sigurimi i Shtetit dhe KQPPSH. Këtë tu thotë Berisha mitingashëve të sotëm, dhe të tregohet më i sinqertë me ata që i fton me bukë me vehte në “revolucionin” e 2023. Sot nuk ka shqiptar që nuk e di se, “frymëzimi” i çdo ithtari apo mbështetësi në Partinë Demokratike, nuk janë as idealet dhe as programet boshe të asaj force politike, por janë “citatet e Berishës”.
Aq e ka ngulitur ai mendimin se “pa mua nuk bëni dot asnjë hap” tek rrethi i ngushtë dhe militantët, sa që pothuajse të gjithë ata e shohin Berishën si Shenjtor, dhe jo drejtues partie. Atje ka humbur sensin ideologjia, koncepti rivalizimit, propoganda e bazuar mbi ide dhe programe partiake, ka humbur kuptimin aftësia dhe dëshira për një konkurencë të lirë dhe të ndershme brënda saj, pasi partia është kthyer në pronë të patundshme e ish-liderit. Ky mbetet objekti real i “frymëzimit” tek ajo parti, dhe aspak kujtimet e bukura të revolucionit të 1990-1991.
Ato i përkasin një brezi tjetër, idealistësh dhe progresistësh, që e deshën “Shqipërinë si Europa”, dhe që nuk kanë lidhje fare me Sali Berishën.