Ish-zyrtarja e lartë Alda Klosi do të dalë këtë të hënë para Gjykatës së Apelit. Klosi kërkon në Apel ndryshim të masës së sigurisë, nga ajo e arrestit në burg, në një masë më të lehtë. Ajo akuzohet për pastrim parash, mosdeklarim të pasurisë dhe deklarim të rremë para oficerit të policisë gjyqësore.
Gazetarja Glidona Daci raporton se gjatë ditës së diel, duke qenë se Alda Klosit nuk i ishin marrë deklarimet pas arrestimit për shkak të problemeve shëndetësore dhe shtrimit të saj në spital, Prokuroria e Tiranës së bashku me oficerët e policisë gjyqësore kanë shkuar në ambientet e paraburgimit ku ndodhet ish-zyrtarja për të marrë deklarimet e saj.
Sipas burimeve të gazetares, Klosi u ka qëndruar deklarimeve të dhëna në momentin kur u arrestua Rozeta Dobi. Pra ajo pretendon se 120 mijë eurot dhe rreth 30 mijë dollarët janë të xhaxhait të saj i cili ndërroi jetë në Amerikë për shkak të një sëmundjeje të rëndë, por nuk pranon që të ketë lidhje me shumën prej më shumë se 400 mijë eurosh që Dobi pretendon se janë marrë në shtëpinë e Klosit.
/a.r