I ftuar në “Dita Jonë” në “A2CNN”, Blendi Gonxhja, Drejtor i DPSHTRR, ka folur në lidhje me vendimin për rritjen e çmimit të patentës.
Sipas Gonxhes, me këtë vendim, i jepet fund njëherë e mirë të gjitha abuzimeve të kryera ndër vite nga autoshkollat, të cilët ofronin këtë shërbim me çmime nga më qesharaket.
Kjo, tha Gonxhja, do t’i japë fund invazionit dhe fiktivitetit të frikshëm të krijuar, ku shumë klientë janë bërë vetë palë me abuzuesit për të marrë një patentë kundrejt një çmimi më të ulët, duke mos marrë shërbimin e nevojshëm.
“Kjo është një sfidë tatimore dhe fiskale. Do të ketë momente që ne do të jemi me ju për të ndarë lajme të mirë, ulje çmimesh, ulje tarifash.
Në kuptimin e aktivitetit të sektorit të autoshkollave ishte kapur fundi. Nga tërmeti dhe pandemitë ne mezi morën veten. DPSHTRR nuk kishte as salla, kishte stalla. Është punuar prej vitit 2019 e këtej për të investuar në sisteme, në infrastrukturë. Është momenti që tregu i autoshkollave të vijë në standardin e duhur.
Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se, i njëjti program kombëtar që është në fuqi prej 10 vitesh, që janë 36 orë mësimi dhe 34 seanca, të kryhet nga këto subjekte. Ajo që ka ndodhur deri më sot është që ka invazion, fiktivitet të frikshëm. Shumë qytetarë e klientë janë bërë palë në këmbim të një çmimi për një shërbim të pabërë nga ana e autoshkollave.
Kemi autoshkolla që deklarojnë që kanë bërë kurse 1 mijë-2 mijë lekë të reja. Pra, këtu ka një përgjegjësi ndër vite nga institucionet që duhet të kontrollonin. Shumë që ju përmendët është një vlerë që përfshin të gjitha elementët. Orën e mësimit e nxjerr 550 lekë, ndërsa koston e praktikës 1400 lekë për seancë.
Shoku për publikun është që ata nuk e kanë bërë këtë shërbim siç duhet. Ne nuk po rrisim asnjë çmim, por po standardizojmë një treg që ka abuzuar me këtë shërbim. Ka autoshkolla që kanë çmimet që afrohen ndaj kostos reale për kursin.”
Blendi Gonxhja, Drejtor i DPSHTRR
/a.r