Kryebashkiaku i Pogradecit ka shkarkuar drejtorin e Ujësjellësit, duke e zëvendësuar atë me nipin e tij.
Ky rast nepotizmi është denoncuar dje nga ana e drejtorit të shkarkuar, sipas tij me motivacionin e performancës së ulët.
Kryebashkiaku Eduart Kapri, i cili arriti të thyejë bastionin e majtë në zgjedhjet e fundit, është paditur publikisht për nepotizëm. Sipas drejtorit të shkarkuar, postin e tij e ka zënë nipin i kryebashkiakut, i cili tashmë do të drejtojë Ujësjellësin e Pogradecit.
Ai theksoi se më datë 16 shkurt, kryebashkiaku Kapri, përmes një urdhërese zyrtare, ka vendosur dorëzimin e detyrës së administratorit të Ujësjellës- Kanalizimeve Valter Gora dhe vendin e tij e ka zënë Marsel Isallari, i cili rezulton të jetë djali i motrës së kryebashkiakut.
Nisur nga mbiemri nuk ka asnjë lidhje mes tyre, por nga verifikimi rezulton se lidhja është familjare, dajë e nip, duke regjistruar kështu një rast flagrant të nepotizmit. Valter Gora prej muajsh mbante postin e drejtuesit të Ujësjellësit, ndërsa motivi i cili i është komunikuar për largimin ka qenë një performancë e ulët edhe pse, sipas vetë Gorës, statistikat demonstrojnë të kundërtën.
Z. Gora prej sa muajsh ju mbanit postin e drejtorit të Ujësjellësit?
Kam nisur punën rreth 5 muaj më parë, ndërsa më herët kam punuar edhe në poste të tjera drejtuese. Vetëm një ditë më parë më është komunikuar largimi nga puna prej vetë kryetarit të Bashkisë, pa pasur asnjë bazë ligjore për këtë veprim. Shkak për largimin më është thënë se kam një performancë të ulët, edhe pse në 5 muaj, statistikat të cilat unë i kam të dokumentuara janë që, kur kam nisur punën, Ujësjellës-Kanalizime në Pogradec regjistronte humbje në rrjet në masën 57 për qind. Por, pas pesë muajsh, shkoi në rreth 30 për qind, ndërsa të ardhurat u rritën nga 47-91 për qind.
Po nëse performanca është kështu si thoni ju, atëherë cili është shkaku sipas jush?
Bëhet fjalë sigurisht për një largim politik, pas të cilit fshihet edhe diçka tjetër. Personi i cili është emëruar në vendin tim është Marsel Isallari, nip i kryetarit të Bashkisë. Pa dashur të vë në diskutim asgjë lidhur me anën profesionale të tij, sepse nuk dua të analizoj as mungesën e eksperiencës dhe as aftësitë e tij, di të them se nga ana ligjore kjo është shkelje e hapur. Ndërsa, veç kësaj, ka edhe shkelje të tjera të shumta.
Çfarë shkeljesh të tjera ka pasur?
Nga ana procedurale nuk është respektuar asgjë, qoftë sa i takon largimit tim, por edhe emërimit tjetër. Nuk ka pasur asgjë publike, afatet kohore, njoftimet. Brenda një dite jam larguar unë dhe janë shkarkuar 7 anëtarët e këshillit mbikëqyrës. Pas ndryshimeve për kalimin e kompetencave, kryebashkiaku ka zgjedhur të bëjë një riorganizim apo ristrukturim, duke larguar disa njerëz e duke i zëvendësuar me të tjerë, pa marrë parasysh ligjin.
Si do të veproni më tej?
Normalisht do t’i drejtohem gjykatës. Drejtësia ekziston dhe rasti në fjalë është mjaft i qartë, por nuk më duket normale që të ketë shkarkime dhe emërime të tilla. Nuk bëhet fjalë për pasurinë e një familjeje që ta komandojnë si duan, por flasim për mijëra qytetarë të kësaj bashkie, të cilët kanë detyrime, por edhe të drejtat e tyre.
Panorama