Nga Çapajev Gjokutaj
Iu ktheva e iu riktheva kësaj fotoje dhe s’dija të thoshja pse. Sado e çuditshme të duket fillimisht më shtyu në mendime buka që mba në dorë vogëlushi a vogëlushja. Goxha e madhe, gati gati sa një e treta e shtatit të fëmijës. Ka blerë një të tërë ngaqë janë familje e madhe, me shumë gojë për t’u ushqyer, apo ngaqë janë të vobektë dhe jetojnë krizën e tullonit: me që mishi, yndyra, bulmeti e produkte të tjera ushqimore gjendeshin me vështirësi, njerëzit konsumonin më shumë bukë.
I shëndetshëm dhe i bukur, por gjithsesi ndryrë mes bukës dhe pejsazhit të gurtë që mbisundon gjithë pamjen, imazhi i fëmijës mund të synojë sadokudo edhe një ngarkesë metaforike: diçka për jetën që gjallon e hedh shtat mes shtrëngesash e vështirësish.
Po mbase fotografia më tërhoqi ngaqë më ngjalli një lloj nostalgjie. Nostalgji për varfërinë, mall për kohën e tollonit, mund të prishte buzët shumëkush. Po unë do thoshja mall për jetën, për fëmininë dhe rininë që kanë ikur e s’kthehen më, për ato kohë kur trupi i pakonsumuar buronte natyrshëm energji dhe gëzim.
Edhe keqardhja për varfërinë edhe malli për atë pjesë të jetës, janë të natyrshme, varet nga ç’pikë i shikon, po thoshja me vete. Kjo puna e pikës së vęshtrimit më solli në mënd një buzëmuzg vere diku në fillim të viteve 2000.
Kisha udhëtuar gjithë ditën dhe i lodhur e i bezdisur po i jepja makinës në Qafë Gjashtë, pranë Sarandës. Ai segment rruge ishte në konstruksion dhe shtëllungat e pluhurit që ngrinin makinat e shumta, më dukej se po binin mbi mua, paçka se xhamat i kisha mbyllur dhe kondcioneri punonte mirë.
Kaq fort po e perceptoja pluhurin, sa më ngjante se në qiellzë ndjeja shije balte. Mjerë këta që mëngjes, drekë, darkë jetojnë në këtë tmerr, po mendoja duke parë shtëpitë buzë rruge, me porta, xhama, pemë e lule të zbërdhylura fund e krye.
Diku u shfaq buzë rrugës një djalë 8-9 vjeç, me pantallona të shkurtra e kanatjerë. Ecte dhe këndonte për shtatë palë qejfe, kurse në dorë mbante një qese celofani me një plendës dhe ca zorrë qengji.
Ja që ka kënaqësi edhe mes pluhurit e rrëmujës, nënqesha, dhe në çast u vura të gjeja nga buronte gëzimi i Gavroshit që s’mbante në duar pushkë e fishekë po plendës e zorrë. Përfytyronte sa do kënaqeshin rreth tryezës duke ngrënë të brendshmet e gatuara për merak apo thjesht ndjente kënaqësinë që buron vetiu në atë moshë rritjeje e zhvillimi?
Hamëndjet nuk zgjatën më tej, në çast u ndjeva cinik dhe iu shpraza vetes: E kush je ti që gjykon kur dhe pse duhet të gëzohet tjetri? Apo traditë tulloni, edhe gëzimin me racion?