Një emigrant nga Shqipëria është kapur duke vjedhur një banesë në Londër, pasi i zoti i shtëpisë kishte instaluar kamera të lidhura me internetin dhe shihte gjithçka nga celulari.
Edhe në rastin e vjedhjes, pronari e pa teksa ndodhte, ndërkohë që ishte në Francë, me pushime. Ai njoftoi policinë, e cila arrestoi shqiptarin 21-vjeçar.
Dorian Puka, pa dokumenta të rregullta, u filmua ndërkohë që po hynte me forcë në banesën e anglezit David Pearce, në jugperëndim të Londrës, në lagjen Twickenham, përmes një kamere “wi-fi”. Pronari lajmëroi me telefon fqinjët. Puka u kap nga policia në afërsi të vendit të vjedhjes, bashkë me një person tjetër i cili u largua nga banesa pas ardhjes së fqinjëve me një makinë BMW, e identifikuar nga targa e mbajtur shënim nga fqinjët.
Dorian Puka u dënua nga gjykata me 9 muaj burg për këtë vjedhje si dhe një tjetër të kryer një muaj më parë, po në perëndim të Londrës, ku kishte marrë sende me një vlerë prej 20 mijë sterlinash, por kishte lënë pas një dorashkë të përdorur në plaçkitjen e banesës.
Dorian Puka do të deportohet në Shqipëri pas dy muajsh nga Home Office, pasi ka nënshkruar një marrëveshje për rikthimin në vendlindje.