Një nënë jemenase që iku nga lufta në vendin e saj për një të ardhme më të mirë në Turqi, u godit nga tërmeti shkatërrimtar që goditit Turqinë. Faten Al Yousif, e cila ishte 39-javëshe shtatzënë kishte bërë të gjitha gati për të pritur fëmijën e saj, kur tërmeti goditi banesën e saj në Malatya.
Pas 10 orësh “e pushtuar” nga frika për sigurinë e fëmijës që mbante në bark, ajo u nxorr nga rrënojat nga një mik i familjes dhe punonjësit e shpëtimit.
“Nuk besoja se isha ende gjallë”, thotë Faten për BBC News.
Menjëherë pas shpëtimit të saj, ajo u dërgua me urgjencë në spital ku mjekët kryen një prerje cezariane për të lindur vajzën e saj, të cilën e pagëzoi me emrin Loujain, që do të thotë “argjend” në arabisht.
Por më pas erdhi tragjedia.Bashkëshorti i Fatenit, 29-vjeçari Burhan Al Alimi, nuk i mbijetoi dot tërmetit. Trupi i tij u gjet tre ditë më vonë. Ai ishte në vitin e fundit të studimeve për inxhinieri kimike në Universitetin Inonu në Malatya.
Si çdo nënë e re, Faten është e privuar nga gjumi dhe përpiqet të përshtatet me rutinat e të ushqyerit dhe të gjumit të të porsalindurit.
“Fillimi ishte shumë i vështirë, sidomos me rrethanat. Falënderoj të gjithë ata që më ndihmuan dhe qëndruan me mua. Kam pasur një familje kur e imja nuk ishte atje. Ne imagjinuam një jetë të bukur për vajzën tonë. Por vullneti i Zotit është mbi çdo gjë, kudo. Askush nuk e di se ku do të jetë fundi”, tregon ajo.
Faten dhe bashkëshorti i saj u shpërngulën në Turqi pasi Houthi-t e mbështetur nga Irani pushtuan kryeqytetin, Sanaa, në fund të 2014. Që nga fillimi i fushatës së bombardimeve të udhëhequra nga Arabia Saudite në Jemen në Mars 2015, komuniteti jemenas në Turqi është rritur në më shumë se 20,000 vetë.
/s.f