Gjatë intervistës që po zhvillon në emisionin “Opinion” kryeministri Edi Rama iu përgjigj edhe pyetjes nëse mendon se opozita e drejtuar nga Sali Berisha duhet të regjistrohet në zgjedhje. Rama u shpreh se çështja e vulës së PD-së është çështje e gjykatës. Ai theksoi se Partia Socialiste nuk ka lidhje se kush shkon në zgjedhje, por do të japë alternativën e saj.
Blendi Fevziu: Unë po ju pyes si qytetar i republikës së Shqipërisë. A mendoni ju që opozita duhet të hyjë në zgjedhje dhe të regjistrohet ajo opozitë që është atje?
Edi Rama: Ç’domethënë të regjistrohet ajo opozitë që është atje?
Blendi Fevziu: Të marrë pjesë në zgjedhje.
Edi Rama: Cila është opozita atje?
Blendi Fevziu: Opozita e përfaqësuar nga PD, e drejtuar nga Sali Berisha.
Edi Rama: Kjo është një çështje që në dijeninë time është në gjykatë.
Blendi Fevziu: Derisa gjykata të japë një përgjigje ata mund të mos hynë fare në zgjedhje.
Edi Rama: Është një çështje e gjykatës.
Blendi Fevziu: Dhe mund të mos regjistrohet asnjëra palë.
Edi Rama: Nuk është fare tema ime kjo.
Blendi Fevziu: Si do shkoni ju në zgjedhje pa opozitë?
Edi Rama: Ne nuk kemi lidhje se kush shkon në zgjedhje. Zgjedhjet janë një ofertë. Pra populli përmes Kushtetutës hap garën dhe pret ofertat. Ne do shkojmë atje me ofertën tonë siç kemi shkuar gjithmonë. Nëse dikush thotë që nuk kam ofertë sepse nuk kam vulë, tjetri thotë nuk kam ofertë se nuk kam firmë, tjetri thotë se nuk kam ofertë se bëj se nuk kam këtë po hallin e ka diku tjetër kjo është punë e tyre. Kjo nuk është një bisedë për mua këtu.
/a.r