Dean Obeidallah, CNN
James Comer, Kryetar i Komisionin të Mbikëqyrjes dhe Llogaridhënies në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, ka nisur në komisionin e tij të hetojë nëse djali i Presidentit Joe Biden, vëllai i tij dhe të tjerë në orbitën Biden, në një farë mënyre, përfituan financiarisht nga lidhja familjare me Presidentin.
Comer, një republikan i Kentakit, i shkroi Hunter Biden në një letër javën e kaluar se ai dhe bashkëpunëtorët e tij «ndikuan për të prodhuar miliona dollarë për familjen Biden». Ai deklaroi në komunikatën për shtyp të komisionit të tij, teksa shpalli hetimin: “Populli amerikan meriton transparencë dhe përgjegjshmëri rreth ndikimit të familjes Biden.”
Nëse Comer është i sinqertë në lidhje me transparencën dhe përgjegjshmërinë (kur vjen puna për të ndikuar ilegalisht në politikë), atëherë ai duhet të jetë duke përgatitur letra të ngjashme edhe për Donald Trump, Jared Kushner, e Ivanka Trump. Të tre mund të kenë përfituar personalisht nga koha e tyre në Shtëpinë e Bardhë.
Kur bëhet fjalë për Kushner, dhëndrin e Trump që ishte këshilltari i tij i lartë i Shtëpisë së Bardhë, dhe ish-Presidentin, ne nuk duhet të shohim më tej për prova që kërkojnë një hetim sesa artikulli i kësaj fundjave në Washington Post me titull “Pasi ndihmuan në fuqizimin e princit, Trump dhe Kushner përfitojnë nga fondet saudite.”
I pyetur në se komiteti i tij do të hetojë raportimin e Washington Post, Comer i tha ABC”-së : “Mendoj se gjithçka është në tryezë”, por iu rikthye shpejt hetimit të tanishëm të familjes Biden.
Nëse Comer e lexon këtë artikull, ai do të shohë sesi Kushner dhe Trump potencialisht i kanë futur në xhep paratë nga marrëveshjet e fundit të biznesit me qeverinë saudite, pasi e ndihmuan Arabinë Saudite dhe Princin e Kurorës Mohammed bin Salman, të njohur gjerësisht si MBS, ndërsa ishin në Shtëpinë e Bardhë. (Përfaqësuesit për Organizatën Trump dhe Kushner nuk iu përgjigjën kërkesës së CNN-it për koment rreth raportit të Washington Post. Edhe ish-Presidenti dhe dhëndri i tij nuk pranuan të komentojnë për gazetën.)
Don Fox, ish-drejtor i përkohshëm i Zyrës së Etikës Qeveritare, tha për Washington Post se “puna e tyre ka nxjerrë në pah një mungesë të dukshme në ligjet e etikës, që duhet të rregullohet nga Kongresi,” raportoi gazeta.
Siç detajon Washington Post, Kushner dhe Trump të dy po përballeshin me “sfida të pashembullta biznesi” kur u larguan nga Shtëpia e Bardhë. Trump kishte parë se të ardhurat nga pronat e tij ranë në mënyrë dramatike, plus polemika rreth sulmit të 6 janarit 2021, e bëri atë toksik. Kushner ishte duke u përballur me sfidat e tij, me biznesin e tij familjar që kishte nevojë për një paketë shpëtimi prej 1.2 miliardë dollarësh, njoftoi gazeta.
Pastaj erdhi Arabia Saudite dhe MBS për të shpëtuar. Në rastin e Kushner, një fond i kontrolluar nga MBS investoi 2 miliardë dollarë në firmën e sapoformuar private të Kushnerit, Affinity Partners, gjashtë muaj pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë, njoftoi The New York Times vitin e kaluar.
Një panel që analizon investimet për sauditët kishte ngritur shqetësime lidhur me këtë investim në një sërë çështjesh, duke përfshirë “mungesën e përvojës së menazhimit të Fondit të Disponimit,” sipas Times. Por bordi i kryesuar nga MBS e pengoi panelin dhe i dha investimin masiv që do të rezultojë në një pagesë për kompaninë e Kushner prej 25 milion dollarë në vit, duke mos përfshirë fitimet e fituara nga investimet, raportoi Times.
Kjo marrëveshje ngre shqetësime rreth lobimeve të përsëritura të Kushnerit në favor të MBS dhe Arabisë Saudite ndërsa ishte në Shtëpinë e Bardhë Trump. Marrëdhënia mes tyre mund të ketë dhënë përfitime për MBS, pasi një raport i inteligjencës amerikane mbi vrasjen e Tetorit 2018 të Jamal Khashoggi përcaktoi se princi i kurorës kishte miratuar operacionin për kapjen ose vrasjen e gazetarit saudit. “Kushner u bë mbrojtësi më i rëndësishëm i princit brenda Shtëpisë së Bardhë,” raportoi Times në vitin 2018 pas vrasjes. (MBS ka mohuar përfshirjen në vrasje.)
Përtej polemikave të Khashoggi, Kushner përdori ndikimin e tij në “bindjen e Trumpit për t’i dhënë përparësi Arabisë Saudite, pavarësisht nga kundërshtimet e këshilltarëve të lartë,” vuri në dukje Washington Post këtë fundjavë, duke cituar vetë llogarinë e shkruar të Kushnerit.
The Post gjithashtu parashtroi sesi Trump duket se po përfiton nga mbrojtja e tij ndaj MBS dhe Arabisë Saudite ndërsa ishte në Shtëpinë e Bardhë. Pasi një raport i CIA-s arriti në përfundimin se MBS kishte autorizuar vrasjen e Khashoggit, Trump minoi publikisht përfundimet e raportit dhe kundërshtoi lirimin e raportit. Ai gjithashtu vuri veton ndaj një përpjekjeje të Kongresit për të bllokuar shitjen e armëve ndaj Arabisë Saudite.
Trump nuk kishte turp në lidhje me atë që ai bëri për MBS, duke deklaruar në një intervistë të regjistruar me Bob Woodëard në lidhje me princin saudit të kurorës: “Unë shpëtova prapanicën e tij.”
Tani shohim Trump që organizon turneun LIV Golf, të mbështetura nga Sauditët në kurset e tij të golfit — të cilat zakonisht paguajnë pronarin e kursit deri në 3 milionë dollarë, siç raportoi Post. Megjithatë, Trump nuk ka zbuluar se sa shumë po i mbushet xhepi nga sauditët, gjë që është veçanërisht alarmante duke pasur parasysh se ai po kandidon për President në vitin 2024.
Organizata Trump gjithashtu kohët e fundit ka siguruar një marrëveshje me një kompani saudite të pasurive të patundshme që planifikon të ndërtojë një hotel, vila dhe fushë golfi të markës Trump në Oman, si pjesë e një projekti prej 4 miliardë dollarësh, sipas The New York Times.
Pastaj është vajza e TrumpIt, Ivanka, e cila ishte edhe këshilltare e Shtëpisë së Bardhë. Shtetasit për Përgjegjësinë dhe Etikën në Uashington, një grup mbikqyrës, i kërkuan Departamentit të Drejtësisë ta hetojë atë katër vjet më parë lidhur me shkeljen e mundshme të ligjeve të konfliktit të interesit duke marrë pjesë në zbatimin e një programi që jep falje taksash për investitorët në të ashtuquajturat zona mundësie. (Një zëdhënës i avokatit të etikës së Trump e quajti pretendimin “të motivuar politikisht dhe pa merita.”)
CREW gjithashtu kishte ngritur shqetësime në lidhje me biznesin e Ivanka Trump duke marrë miratimin “e regjistrimit” për markat tregtare nga qeveria kineze në vitin 2018 rreth kohës kur babai i saj hoqi sanksionet ndaj kompanisë kineze të telekomunikacionit ZTE – aksioneri kontrollues i së cilës është një korporatë shtetërore kineze.
Më vonë në vitin 2018, biznesi i Ivanka Trump mori miratimin për 16 marka të reja tregtare nga qeveria kineze për një sërë mallrash — që nga këpucët dhe bizhuteritë e deri te makinat e votimit. Këto miratime ndodhën ndërsa babai i saj po negocionte një marrëveshje tregtare me Kinën.
Në mbrojtje të aplikimeve për markë tregtare, Abigail Klem, atëherë presidente e markës Ivanka Trump, tha në vitin 2017: “Kohët e fundit kemi parë një rritje në paraqitjet e markave tregtare nga palë të treta pa lidhje që përpiqen të përfitojnë nga emri dhe është përgjegjësia jonë të mbrojmë me zell markën tonë tregtare”.
Avokati i Ivanka Trump në atë kohë, Jamie Gorelick, tha: “Ivanka nuk ka pasur asnjë përfshirje me aplikimet për markë tregtare të paraqitura nga biznesi”, sepse ajo dha dorëheqjen nga posti i saj në kompani. “Rregullat federale të etikës nuk kërkojnë që ju të tërhiqeni nga ndonjë çështje lidhur me një vend të huaj vetëm sepse një biznes në të cili ju keni një interes pronësie ka një aplikim marke në pritje atje.”
Comer është e saktë kur thotë se “populli amerikan meriton transparencë dhe llogaridhënie” kur është fjala për këdo që përfiton nga lidhjet politike. Nëse Comer është i sinqertë, ne duhet të shohim letra që kërkojnë të njëjtin informacion nga Kushner, Trump dhe vajza Ivanka, si aajo që i dërgoi në Hunter Biden.
Nëse jo, atëherë e dimë që kongresmeni nuk po bën gjë tjetër veçse po përdor dollarët e taksave tona për të dëmtuar Presidentin dhe për të ndihmuar Partinë Republikane.