Agjencia e Trajtimit të Pronave, përmes një deklarate njoftoi se me hyrjen në fuqi të ligjit nr. 77/2022 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, ndryshime këto që erdhën në kuadër të rekomandimeve të dhëna nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në vendimin “Beshiri kundër Shqipërisë dhe 11 kërkesa të tjera”, si dhe vendimit nr. 4 datë 15.02.2021 të Gjykatës Kushtetuese, në përmbushje të detyrimeve të saj ligjore ka filluar menjëherë punën duke lëvruar këstet e radhës (kësti i pestë, i katërt dhe i tretë) për subjektet, që kanë përfituar kompensim financiar, me kërkesë të veçantë, gjatë viteve 2019-2022.
ATP ka përfunduar procedurat për lëvrimin e këstit të radhës për 147 vendime të subjekteve të shpronësuara, që kanë përfituar kompensim financiar, me kërkesë të veçantë, gjatë viteve 2019-2022, nga të cilët: për 75 vendime, subjektet përfitojnë këstin e pestë, për 66 vendime, subjektet përfitojnë këstin e katërt, për 6 vendime, subjektet përfitojnë këstin e tretë.
Vlera totale e fondit, të vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit, që do të lëvrohet menjëherë si këst i radhës për 147 vendimet e subjekteve përfitues, është 437 287 601,77 lekë.
ATP njoftoi subjektet e interesuara se ky është procesi i parë i ndërmarrë nga ATP që pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 77/2022. Po ashtu, ATP sqaroi se puna është drejt rikthimit në normalitet. “Ky është vetëm një fillim i mbarë, për një punë të madhe që do të bëhet çdo ditë nga ATP për të përmbushur qëllimin dhe për të kryer misionin e saj me ndershmëri, korrektesë dhe përgjegjshmëri konform legjislacionit në fuqi”, thuhet në deklaratën e ATP-së.
/a.r