Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka ngritur alarmin se rritja e nivelit të deteve mund të shkaktojë një eksod masiv të popullsisë në “shkallë biblike”.
Në fjalimin e fundit në Këshillin e Sigurisë së OKB-së në Një Jork, Guterres u shpreh se shtete si Bangladeshi, Kina, India dhe Holanda rrezikojnë të përmbyten, po ashtu rrezikojnë të kenë pasojë të mëdha edhe qytete gjigante si Kajro, Bangkoku, Shangai, Kopenhage, Londra, Los Anxhelosi, Nju Jorku dhe Buenos Airesi. Ai shtoi se niveli i deteve është rritur me shpejtësi që nga viti 1990 e tashmë rrezikohen gati 900 milionë persona që jetojnë në zonat bregdetare.
Në deklaratën e tij, Antonio Guterres iu referua një studimi të ri që ofron vlerësime më të sakta të rritjes së nivelit të detit për shkak të shkrirjes së dy shtresave të akullit të Tokës.
“Rritja e nivelit të deteve kërcënon ekzistencën e disa komuniteteve, madje edhe të disa shteteve. Në çdo skenar, shtete si Bangladeshi, Kina, India dhe Holanda, janë të rrezikuara. Të rrezikuar janë gati 900 milionë persona që jetojnë në zonat bregdetare. Pasojat janë të paimagjinueshme. Zonat bregdetare mund të zhduken përgjithmonë. Do të jemi dëshmitarë të një eksodi masiv të popullsinë në shkallë biblike”, u shpreh Guterres.
/a.r