Ditën e sotme kanë nisur punimet për krijimin e Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, pranë Parkut të Liqenit.
Pjesë e hapjes së punimeve ka qenë edhe kryeministri Edi Rama, i cili gjatë fjalës së tij ka thënë se ky projekt do të jetë një hapësirë modernizimi jo vetëm për kryeqytetin por për të gjithë Shqipërinë.
“Ishte e paimagjinueshme tani që fëmijët të mos kishin një qendër të denjë artistike dhe kulturore, një teatër kukullash, por vazhdonin të frekuentonin teatrin e vjetër, i cili edhe ai tani i është nënshtruar një rikonstruksioni të plotë.
Megjithatë ja ku i erdhi dita edhe kësaj vepre të re, e cila siç e patë nga prezantimi nuk do të jetë vetëm një hapësirë për të gjitha kushtet për fëmijët, por do të jetë një tjetër shenjë e modernizmit të Shqipërisë dhe kryeqytetit. Kjo godinë do të jetë një vlerë e shtuar.
Së bashku me Bibliotekën Kombëtare, që është një tjetër projekt fantastik që siç na duhet të çlirojmë rrugën e zënë nga drejtësia e korruptuar me truallin në anën tjetër, ashtu na duhet të sigurojmë edhe financimin masiv që ka nevojë”, tha ndër të tjera ai./m.j