Në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit Tiranë, ministrja Mirela Kumbaro dhe ambasadori i Kinës në Shqipëri Zhou Ding nënshkruan “Memorandumin e mirëkuptimit për bashkëpunimin turistik ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Republikës Popullore të Kinës “.
Duke vlerësuar këtë nënshkrim Ministria Kumbaro u shpreh nga ana e saj se turizmi është një ndër sektorët kryesorë të ekonomisë shqiptare. Me mbështetjen e fuqishme të qeverisë shqiptare, ky sektor është rimëkëmbur me shpejtësi. Vitin e kaluar, numri i turistëve të huaj në Shqipëri e kaloi nivelin para epidemisë, duke arritur në 7 milionë. Nënshkrimi i marrëveshjes për heqjen e vizave dhe i memorandumit të mirëkuptimit për bashkëpunimin turistik ndërmjet Shqipërisë dhe Kinës do t’i japin shtysë të fortë bashkëpunimit turistik dypalësh. Znj. Kumbaro shprehu shpresën që më shumë turistë kinezë ta vizitojnë Shqipërinë dhe të shijojnë mrekullinë unike të “vendit të shqiponjave”.
Ambasadori Zhou tha se memorandumi i mirëkuptimit për bashkëpunimin në fushën e turizmit ndërmjet Kinës dhe Shqipërisë është arritja e fundit e bashkëpunimit konkret mes dy vendeve. Jo shumë kohë më parë, të dyja palët nënshkruan gjithashtu një marrëveshje historike për heqjen e ndërsjellë të vizave. Ai shprehu besimin që këto dy dokumente do të nxitin në masë të madhe potencialin e bashkëpunimit turistik Kinë-Shqipëri dhe do të promovojnë lidhjet njerëzore ndërmjet të dy vendeve. Përfaqësuesi i diplomacisë kineze në Tiranë shprehu shpresën që sipërmarrjet turistike të të dy vendeve ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të forcuar bashkëpunimin, për të krijuar itinerare turistike më karakteristike dhe për të tërhequr më shumë turistë kinezë në Shqipëri. “Njëkohësisht, shpresojmë gjithashtu që më shumë turistë shqiptarë ta vizitojnë Kinën,” tha z. Zhou
Përfaqësuesit e kompanive turistike në Shqipëri shprehën enzuziazmin e tyre për nënshkrimin e memorandumit. Ata thanë se kompanitë e tyre do ta shfrytëzojnë këtë rast për të paraqitur më shumë projekte turistike e itinerare të përshtatshme për turistët kinezë, duke u ofruar miqve kinezë një përvojë të bukur turistike.