Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, tha se do të presë vendimin e Gjykatës së Apelit para se të vendosë për regjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet vendore të 14 majit.
“Ka vetëm një Parti Demokratike, e cila nëse do të plotësojë kushtet për t’u regjistruar, do të regjistrohet. Nuk mund të ketë dy PD, sepse nuk mund të ketë dy parti me të njëjtin emër. Në momentin që do të paraqitet kërkesa për regjistrim, do të vlerësojmë dokumentacionin bashkëshoqërues të kërkesës për regjistrim dhe cilësitë e personit apo personave që do të paraqiten”, tha Celibashi.
“Besoj se në datën 3, gjykata do të vendosë në lidhje me konfliktin se cili do të jetë udhëheqës i PD dhe besoj se Gjykata ka angazhim pozitiv për ta zgjidhur këtë çështje para se të përfundojë afati i regjistrimit. Duhet të jetë e qartë se kush është organi drejtues i asaj partie”.
Vendimi i Gjykatës së Apelit është parashikuar të merret më 3 mars, ndërsa afati i fundit për regjistrimin e partive politike në KQZ për zgjedhjet vendore është 6 marsi. Më herët, Celibashi ka deklaruar se PD rrezikon të mos regjistrohet nëse vendimi nuk do të merret në kohë.
Buxheti i partive
Celibashi tha gjithashtu se fondi që do të përfitojnë partitë për zgjedhje do t’iu shpërndahet 5 ditë nga përfundimi i afatit për regjistrimin e kandidatëve. “Do të duhet të presim momentin kur të kemi numrin e partive të regjistruara dhe atyre që paraqesin kandidatë. Lidhur me atë nëse PD do të përfitojë fonde, në fakt është vendim që do të duhet ta marr, dhe për ta respektuar institucionin nuk do ta bëj publik si vendim. Parimi është ky, merr fonde ajo parti që ka marrë pjesë zgjedhjet pararendëse, ato të vitit 2019. E dimë që PD nuk mori pjesë në ato zgjedhje. Por në referim do të merren zgjedhjet e 2015-ës dhe 2017-ës. Praktikisht kushdo që ka marrë pjesë në 2015, 2017, 2019, kualifikohet për të marrë buxhetin për fushatën”.
Aplikacioni i PS
I pyetur rreth aplikacionit “Aktiv1st” të ndërtuar nga Partia Socialiste, për të cilin akuzohet se po përfshin administratën në zgjedhje, Celibashi tha: “Në KQZ nuk është paraqitur asnjë denoncim apo kërkesë në lidhje me këtë çështje, prandaj nuk mund të them gjë. Por nëse do të jetë objekt i shqyrtimit të KQZ, do ta vlerësojmë”.
/a.r