Policia e Sarandës ka zbardhur ngjarjen e rëndë të ndodhur ditën e djeshme në qytetin bregdetar, ku një hotel u hodh në erë në orët e para të mëngjesit.
Në pranga ka përfunduar Sotir Çabiri, djali i një prej pronarëve të hotelit, Spiro Çabirit.
36-vjeçari që shihni në foton e mësipërme është i dyshuari kryesor që ka vendosur sasinë eksplozivit, në hotelin që babai i tij kishte në bashkëpronësi me shtetasin Dhimitër Evangjeliu.
Në lidhje me pronën që ndodhej në zemër të qytetit të Sarandës, familja Çabiri ishte në një proces të gjatë gjyqësor që prej vitit 2002, me shtetasin Dhimitër Evangjeliu, i cili pretendonte se ishte pronari i hotelit.
Nuk dihen ende rrethanat që e shtynë Sotir Çabirin që të merrte vendimin ekstrem për shembjen e godinës.
Si pasojë e shpërthimit me eksploziv, u shkatërrua plotësisht hoteli i ndërtuar në vitin 1996 dhe gjithashtu u shkaktuan dëmtime të fasadave të objekteve të tjera në afërsi të hotelit. Nga shpërthimi nuk pati asnjë shtetas të dëmtuar.
Ndërkohë policia ka sekuestruar veshje që dyshohet se janë përdorur nga autori, gjatë vendosjes së lëndës eksplozive, 3 celularë dhe sende të tjera që u gjetën në vendngjarje.
/s.f