Ish-guvernatorja republikane e Karolinës së Jugut, ka njoftuar të martën se do të kandidatojë për presidente të SHBA-së në zgjedhjet e vitit 2024.
Kështu, Haley po sfidon ish-shefin e saj Donald Trump duke shpallur kandidaturën nga radhët e republikanëve. Lajmin ajo e bëri të ditur në një video të publikuar të martën.
“Unë jam Nikki Haley dhe do të kandidoj për presidente,” deklaroi ish-ambasadorja nga administrata Trump në OKB.
Kujtojmë se ish-presidenti Donald Trump e ka njoftuar në nëntor të vitit që shkoi se do të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Njoftimin, Trump e bëri pas zgjedhjeve të gjysmës së mandatit në vend.
/a.r