Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Samitin Botëror të Qeverisjes në Emiratet e Bashkuara Arabe ku ndodhet për vizitë dyditore gjatë së cilës do të ketë edhe takime bilaterale.
Në një prononcim për gazetarët, Rama theksoi se “në ditët e sotme, mënyra për të qeverisur vendin përcaktohet nga mënyra se si ne e përqafojmë të renë sepse çdo ditë dalin gjëra të reja”.
“Kjo epokë e re e gjërave të reja po sfidon mënyrën tonë të qeverisjes. Si rrjedhojë, sa më shumë të ndërveprojmë me njëri-tjetrin dhe bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, aq më shumë mund ta përdorim teknologjinë në një mënyrë që të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin. Kjo është ajo që duhet të bëjmë, që të jemi relativisht të sigurt përballë sfidave”, u shpreh Rama.
Lidhur me punimet e samitit, Rama theksoi se “ishte hera e parë për mua dhe sapo mbërrita ndoqa seancën. Dukej shumë e këndshme. Organizim shumë i mirë dhe me aq sa e ndoqa, m’u duk shumë interesant në lidhje me temat që trajtohen”.
Pyetjes pse mendoni se bashkëpunimi global duhet çuar përpara për probleme të ndryshme me të cilat përballet bota sot, Kryeministri Rama u shpreh se “gjithnjë e më shumë po përballemi me situata dhe ngjarje që janë më të fuqishme se ne, nëse i adresojmë në mënyrë të izoluar si vende dhe kontinente”.
“Si të tilla ato kërkojnë veprime gjithëpërfshirëse dhe shpresojmë t’i realizojmë këto para se katastrofat të na fshijnë nga faqja e dheut”, tha Rama.
Pyetjes nëse përbërja e kabinetit qeveritar kryesisht nga gra sjell cilësi në qeverisjes, Rama iu përgjigj se “para së gjithash nuk dua të dukem sikur po u jap leksione të tjerëve për atë që po ndodh në Shqipëri tani. Në lidhje me avantazhet e kësaj, unë do citoja Margaret Thatcher që thotë nëse do që të bisedosh, këtë e bën me një burrë, por nëse kërkon të mbarosh punë, këtë ta mbaron një grua”.
/a.r