Tre persona u shpëtuan nga gërmadhat e godinave të shembura në rajonin e goditur rëndë të Kahramanmarash, 198 orë pas tragjedisë, përfshirë 17 vjeçarin Muhamed Enes Yeninar, dhe vëllain e tij 21 vjeçar. Në pot ë njëjtin rajon, ekipet e shpëtimit po përpiqen të arrijnë 3 pjesëtarë të së njëjtës familje, gjyshja, nëna dhe vajza, të cilat duket se I kanë shpëtuar tërmetit që ka vrarë më shumë se 40 mijë vetë në Turqi dhe Siri.
Një tunel i dytë po hapet për të arritur tek to, pasi kalimi i parë u bllokuar dhe një zinxhir njerëzor është krijuar për të zhvendosur rrënojat me kova.
Por pavarësisht mrekullive që e mbajnë shpresën gjallë, operacionet e kërkim shpëtimit po shkojnë drejt përfundimit, ndërsa temperaturat e acarta reduktojnë edhe më shumë shanset për mbijetesë. Disa grupe vullnetarësh polake, njoftuan se do të largohen të mërkurën.
Në qytetin e shkatërruar të Alepos, shefi i ndihmës në OKB Martin Griffiths tha se faza e kërkimeve po mbyllej dhe se fokusi do të zhvendosej tani tek sigurimi i vendstrehimeve, ushqimit dhe shkollimit.
Siç u bë e ditur, presidenti sirian Bashar Al Asad kishte pranuar të hapte dy vend kalime të tjera kufitare për të lejuar hyrjen e ndihmave nga Turqia fqinje. Bilanci i viktimave në Turqi i ka tejkaluar 31 600 viktimat e shënuara nga tërmeti i vitit 1939 duke e bërë atë të 6 shkurtit, katastrofën më të rëndë në historinë moderne të vendit.
Në Sirinë e gjunjëzuar nga lufta civile 12-vjeçare, bilanci ka shkuar në mbi 5700. Në një vlerësim të parë të dëmeve, llogaritet se Turqia përballe me një faturë prej 84 miliardë dollarësh; 42 mijë godina ose janë shembur, ose janë dëmtuar rëndë në 10 qytete.
/a.r