Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme në QSUT është një prej investimeve për të garantuar një standard të ri shërbimi mjekësor për qytetarët.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu vizitoi sot ambientet e këtij spitali ku po kryhet instalimi i aparaturave.
“Në spitalin e ri të Sëmundjeve të Brendshme në QSUT, me instalimin e aparaturave të fjalës së fundit të teknologjisë, unike në Shqipëri, bëhemi gati për fazën finale të çeljes së veprës më të madhe të shëndetësisë të dekadave të fundit”, theksoi Manastirliu.
Ministrja Manastirliu u shpreh se “kemi përfunduar me instalimin e angiografit të ri dhe bëhemi gati për pak javë në inaugurimin e këtij spitali”.
“Është një nga hapat e modernizimit të shërbimeve, në sëmundjet e brendshme në këtë spital të ri që do të pasohet nga transferimi i aparaturave ekzistuese. Kjo aparaturë e re rrit numrin e ndërhyrjeve invazive, por nga ana tjetër edhe kompleksitetin e ndërhyrjeve ne zemër, por edhe aspekte të tjera të procedurave që ky aparat mund të shërbejë”, nënvizoi Manastirliu.
Sipas saj, në spital ka një seri aparaturash të reja si eko, grafitë dhe pajisjet ekzistuese që do të transferohen.
“Në këtë spital qytetarët do të marrin gjithë shërbimin si dhe do të kemi një shërbim të kompletuar të urgjencës”, tha ministrja.
Manastirliu tha se “brenda muajit mars duam që spitali të fillojë funksionimin”.
Spitali i Ri i Sëmundjeve të Brendshme në QSUT do të jetë gati brenda vitit. Ai do të pajiset me aparatura të teknologjisë së lartë dhe pjesë e tij do të jenë edhe 9 salla leksioni dedikuar studentëve të mjekësisë.
Ky është një spital me sipërfaqe 26700 m2. Urgjenca aktuale do transferohet në këto mjedise. Spitali do të përfshijë repartet e hemodinamikës që sot janë në godina të ndryshme. Po ashtu, krijohen mjedise për triazhimin dhe shërbime të ndara. Spitali do ketë 317 shtretër dhe gjithashtu edhe një spital ditor me 60 shtretër.
/a.r