Më 1 mars, shqiptarët e diasporës do të protestojnë para Gjykatës Speciale të Hagës, nën moton “Për UÇK-në, të vërtetën dhe drejtësinë”.
Organizmi vjen nga shqiptarë të diasporës, të cilët në ditën e fillimit të gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, do të kërkojnë drejtësi dhe shfaqin mbështetjen e tyre për ish-krerët e UÇK-së. Organizatorët e protestës bëjnë thirrje për dalje sa më masive këtë ditë dhe jo vetëm shqiptarë të diasporës, por ftojnë edhe qytetarët e Kosovës që t’u bashkohen në protestë paqësore.
Sipas organizatorëve, ish-krerët e UÇK-së po përballen me një proces politik. Ata nuk kundërshtojnë gjykatën, por i bëjnë asaj thirrje për vendosje të drejtësisë ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen atje.
Një leje për organizim të protestës tashmë është siguruar nga autoritetet holandeze dhe qytetarët pritet të mblidhen para gjykatës, të mërkurën e 1 marsit nga ora 10:00 deri në 12:00.Më 1 mars, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, do të fillojë gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po qëndrojnë në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, KadriVeselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit lidhur me pretendimin për krime lufte është konfirmuar më 26 tetor 2020, ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë, ata janë deklaruar të pafajshëm.
/a.r