Një sasi e konsiderueshme vlerash monetare rreth 90 mijë Euro janë sekuestruar në Tiranë nga forcat e Komisariatit Nr.3 në kryeqytet.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare kanë organizuar operacionin policor të koduar “Tentativa”, për vënien në pranga të disa personave që vepronin në formën e një grupi të strukturuar kriminal, të cilët kishin tentuar të mashtronin një subjekt privat, për të përfituar shumën 40 000 Euro.
Në pranga kanë rënë Ergys Ahmetaj 21 vjeç, Andi Basha 18 vjeç dhe Gëzim Kusi 19 vjeç të gjithë banues në Tiranë.
Nga hetimet e kryera dyshohet se 39-vjeçari F. Gj., 39 vjeç, i shpallur në kërkim gjatë operacionit “Subjekti”, i zhvilluar nga Policia e Shtetit në 10 Janar të këtij viti, është bashkëpunëtor me 3 shtetasit e lartpërmendur, të cilët u arrestuan në flagrancë gjatë operacionit “Tentativa”.
Të gjithë këta persona kanë tentuar të mashtrojnë një subjekt privat, për të përfituar shumën 40,000 Euro, duke u prezantuar si zyrtarë të lartë të institucioneve dhe duke përdorur emra të ndryshëm.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 89,400 Euro të gjetura gjatë kontrolleve të banesave dhe aparatet celulare të autorëve të dyshuar. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
/a.r