Prokuroria e Posaçme ka shpallur moskompentencë për kallëzimet e 21 janarit që ka bërë Ministria e Drejtësisë dhe Partia Socialiste për 21 janarin. Raportohet se SPAK ia ka kaluar dosjen Prokurorisë së Tiranës për hetim.
Prokurorja Manjola Kajana ka vlerësuar elementë që janë kompetencë e kësaj prokurorie për ta hetuar si doje. Ndërkohë që Prokuroria e Tiranës ka të hapur hetim për 21 janarin, pasi vrasja e Aleks Nikës është e vetmja që ka mbetur pa vrasës.
Kallëzimet në SPAK nga ana e PS erdhën pasi publikimit në media të disa transkriptimeve të një audi-përgjimi në të cilin tregohej komunikimi mes gardistëve ditën e 21 janarit, ku 4 persona mbetën të vrarë në shesh nga armët e shtetit. PS kërkoi që SPAK të zbardhë 21 janarin, duke kallëzuar penalisht për vrasje në rrethana cilësuese ish-kryeministrin Sali Berishën, ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Bashën dhe ish-kreun e Gardës Ndrea Prendin.
Në kallëzimin e bërë nga PS dhe Ministria e Drejtësisë thuhet se faktet e reja të bëra publike në media tregojnë qartë se urdhrat për të shtënë me armë zjarri ndaj protestuesve janë dhënë nga funksionarë të lartë shtetërorë për të shtënë ndaj personave të pafajshëm. PS thotë se s’ka qytetar që nuk e ka kuptuar se urdhëruesit e këtyre vrasjeve ishin Sali Berisha e Lulzim Basha.
Në dokument i referohen audio-përgjimit, që xhaxhai i Aleks Nikës, Mark Nika ia ka dhënë gazetarit, ku sipas tyre rezultojnë të dhëna të reja si dhe fjalë konkrete të të kallëzuarit Ndrea Prendi gjatë zhvillimit të kësaj ngjarje dhe del në pah më së miri dhënia e urdhrave për të shtënë me armë zjarri ndaj protestuesve, urdhra të cilët nisin nga persona të tjerë, funksionarë të lartë shtetërorë, siç janë të kallëzuarit e tjerë, ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha.
Kjo kasetë ende nuk është vënë në dispozicion të asnjë prokurori.
/a.r