Nga Altin Ketro
Të gjithë përfaqësuesit e opozitës, si ata të “Vulës”, ashtu dhe ata të “Foltores”, kanë nisur një fushatë të egër linçimi ndaj kryeministrit Rama, për të ashtuquajturën “çështja McGonigal”. Opozita nga një anë pretendon se kryeministri Rama ka kryer tradhti ndaj SHBA-së meqë ka takuar zotin McGonigal. Nga ana tjetër thotë se kryeministri Rama ka punuar për shkatërrimin e opozitës duke përdorur zotin McGonigal për të hetuar financimet ruse të lobimit të PD-së. Le t’i marrim me radhë këto dy aspekte.
Së pari, është e vërtetuar se PD ka përdorur para të dyshimta për të lobuar në SHBA. Ashtu siç është bërë tashmë e ditur, fillimisht këtë gjë e ka deklaruar vetë lobisti Nik Muzin në Departamentin Amerikan të Thesarit. Më pas këtë çështje e trajtuan agjencia BIRN si dhe revista amerikane “Mother Jones”.
Por, që të mos tregohemi refraktarë ndaj opozitës, le ta marrim të mirëqenë që kryeministri Rama (apo zyra e tij), bazuar te këto dokumente që tashmë ishin bërë publike nga media, kanë vënë në dijeni zotin McGonigal, i cili në atë kohë ishte shef i zyrës së kundërzbulimit të FBI-së me qendër në Nju Jork.
Ajo që duhet kuptuar në këtë rast, është nëse në këtë rast kemi të bëjmë me shpifje apo me diçka të vërtetë? Lobisti Nik Muzin ka bërë burg për 650 mijë dollarë financime, nga të cilat 500 mijë ishin nga Partia Demokratike dhe 150 mijë nga një kompani guaskë me pronarë rusë me emrin “Biniatta Trade”. Dokumenti i bërë publik mban nënshkrimin e Lulzim Bashës.
Vetë Lulzim Basha nuk i ka mohuar 500 mijë dollarët, por në emsionin “Opinion” ka pretenduar se ato para kanë qenë kontribut i 100 shqiptaro-amerikanëve. Pra i bie që ata kanë dhënë një donacion prej 5 mijë dollarë secili. Fakt është që Partia Demokratike këtë shumë parash nuk deklaroi sipas ligjit në KQZ, as si e ardhur si donacion, as si shpenzim për lobim.
Duke qenë se nuk kemi të bëjmë fare me një ngjarje të stisur, por më një ngjarje reale dhe fakt është dënimi me burg i Nik Muzin-it, nuk kuptohet se ku është “krimi” që paska bërë Rama, gjithnjë nëse e marrim në konsideratë që dokumentacioni doli prej tij apo zyrës së tij.
Po pse nuk paska të drejtë Rama apo kushdo tjetër pranë tij që pasi njihet me dokumente që komprometojnë opozitën, të bëra publike nga shtypi, të mos vërë në dijeni një eksponent të FBI-së, kur krimi ka lidhje të drejtpërdrejtë me interesat amerikane?!
Ashtu sikundër kjo opozitë që sot çirret, dje lobonte sa në Gjermani, sa në Holandë e sa në Francë, me miqtë e tyre të Partive Popullore, që parlamentet e këtyre vendeve të mos miratonin hapjen e negociatave BE – Shqipëri. Aq fortë kanë lobuar në këtë drejtim duke nxirë punën e qeverisë e të kryeministrit Rama, saqë ua kanë kaluar edhe lobimeve serbe për mosnjohjen e Kosovës.
Apo le të marrim përbetimin e fundit të vetë Berishës, i cili deklaroi se çdo provë “fajësie” ndaj kryeministrit Rama që do të dalë nga Komisioni Hetimor parlamentar që pretendohet të ngrihet nga PD për çështjen “McGonigal”, do ia vërë në dispozicion Komisionit Hetimor që do ngrenë republikanët në Kongresin amerikan po që s’ka lidhje fare me Shqipërinë. A nuk përbën në vetvete kjo gjë një nga ato lloj sulmesh “asgjësuese” ndaj kryeministrit Rama, për të cilat vetë opozita akuzon këtë të fundit se ka kryer ndaj tyre në SHBA?! Kontradiktë e madhe në këtë rast!
Së dyti, në lidhje me pretendimin opozitar të “tradhtisë” së Ramës ndaj SHBA-së, meqë është takuar me zotin McGonigal. Situata duhet gjykuar në kohë dhe në hapësirë. Që do të thotë se kur kryeministri Rama është takuar me zotin McGonigal, ai ka patur një pozitë shumë të lartë në FBI. Siç del edhe nga akt-akuza amerikane, të dy palët gjatë takimit kanë folur për shmangien e një subjekti shqiptar për të marrë në zotërim një zonë naftëmbajtëse në Shqipëri, sepse pas asaj fshihej një firmë guaskë ruse.
Deri në këtë pikë jemi çdo gjë në rregull dhe nuk kuptohet ku është tradhtia. Ta lidhësh tradhtinë thjesht pse e ka takuar ndërkohë që ndaj zotit McGonigal nuk ka pasur në atë kohë asnjë dyshim e jo më akuzë penale, është dritëshkurtësi dhe ligësi.
Nëse do flisnim për tradhti të qeverisë shqiptare dhe një kryeministri ndaj SHBA-së, ajo është kryer në vitin 2008 nga qeveria e PD-së me kryeministër Sali Berishën.
Nëse në rastin e Edi Ramës nuk përputhet koha dhe hapësira, sepse problemet e zotit McGonigal dolën më pas, në rastin e Sali Berishës dhe qeverisë së tij problemi ndodhi kur dihej që SHBA nuk lejonte që kompanitë amerikane të furnizoheshin me armatim kinez.
Është fakt tashmë që municionet kineze në magazinat e ushtrisë shqiptare, pasi u hiqej etiketa kineze, ambalazhoheshin me mbishkrimin “Made in Albania”.
Howard Srebnick, mbrojtës ligjor i Efraim Diverolit, pronar i kompanisë amerikane “AEY”, e cila kishte marrë financime nga Pentagoni për të blerë municione, i dërgonte këtë e-mail qeverisë amerikane pas arrestimit të klientit të tij me akuzën e mashtrimit në tregtinë e armëve, që bliheshin në Shqipëri dhe dërgoheshin në Kabul: “Klienti im nuk ka blerë asnjë lloj municioni të prodhimit kinez, qoftë “direkt apo indirekt”, nga asnjë kompani ushtarake komuniste kineze, por ia ka blerë atë qeverisë shqiptare”.
E pra, Efraim Diveroli bëri burg sepse u mashtrua nga kompania MEICO e Ministrisë së Mbrojtjes, po edhe nga sypeshkaqenët me dy këmbë që “lundronin” sa nga ministria e Drejtësisë tek ajo e Mbrojtjes me paracaktim fundor fabrikën e vdekjes në Gërdec, duke i shitur atij municion kinez si të ishte municion shqiptar.
Nga sa analizova më lart, ku i ballafaqova të dyja palët në raport me njëri – tjetrin, po edhe me vetë SHBA-në, po e mbyll këtë shkrim me një pyetje retorike: Cili ka qenë dhe është tradhtari i SHBA-së po dhe i interesave integruese të Shqipërisë, kryeministri Edi Rama apo non grata Sali Berisha?
Po , Non Grada zoti gazetar.!
Sali Berisha, dora vetë, Basha, dhe Meta-Kryemadhi. Janë e keqja e këtij vendi.
Ai e ka fajin. Këtë e din dhe fëmija në bark të nënës dhe jo ata që marrin oksigjenit e ajrit.
Urime për të vërtetën.
Kaq e vertete dhe kaq e thjeshte. Mjafton per te zeruar dhjetra emisione e llogje analistesh.