Paketa e ardhshme e ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën, me vlerë 2,1 miliardë dollarë, përfshin raketën GLSDB, e njohur gjithashtu si bombë rrëshqitëse, ndihmë që mund të dyfishojë rrezen e sulmit të Ukrainës.
Arma me rreze më të gjatë veprimi të Ukrainës aktualisht është Sistemi GMLRS, raketat e të cilit kanë një rreze veprimi prej 77 kilometrash, ndërsa ajo e GLSDB është 151 km, dyfishi i rrezes aktuale. Nëse dërgesa realizohet, ushtria ukrainase mund të sulmojë pozicionet ruse brenda gadishullit të Krimesë.
Prodhuar nga kompania suedeze SAAB AB dhe Boeing Co, GLSDB kombinon bombën me diametër të vogël GBU-39, që zakonisht hidhet nga avioni, me motorin e raketës M26. Që të dyja janë të zakonshme në inventarin ushtarak amerikan. Sipas një raporti të Boeing, të publikuar nga Reuters, këto bomba rrëshqitëse mund të arrijnë në Ukrainë në pranverën e këtij viti.
Tiparet e kësaj rakete e lejojnë atë të shmangë pengesat si malet dhe mbrojtjen e njohur kundërajrore, ndryshe nga artileria tradicionale, e cila ndjek një trajektore parabolike drejt objektivit të saj. Arma është gjithashtu e pajisur për të mposhtur “disa përpjekje bllokimi dhe ka një eksploziv të programueshëm”, sipas Reuters.
GLSDB përdor krahë dhe një motor rakete për t’u drejtuar drejt objektivit të saj, duke e lejuar atë “të synohet me saktësi sikur të ishte nisur nga një aeroplan, pa vënë pilotin në rrezik dhe me një kosto më të ulët”, sipas Wall Street Journal.
Rusia nuk e ka mirëpritur këtë lajm. Siç shpjegoi të enjten ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, dërgimi i raketave me rreze të gjatë veprimi nga Perëndimi në Ukrainë mund të zgjasë luftën: “Tani po përpiqemi të lëvizim artilerinë [ukrainase] në një distancë që nuk kërcënon territorin tonë […] Sa më e madhe të jetë gama e armëve që i dërgohen regjimit të Kievit nga Perëndimi, aq më shumë do na duhet t’i lëvizim ato nga kufijtë e Rusisë”.
/a.r