Një person i dënuar një vit më parë për mashtrim ka arritur që të marrë pesë herë kredi me dokumente të falsifikuara në bankat e nivelit të dytë në Tiranë.
Protagonist i ngjarjes është shtetasi Paulin Alia, i arrestuar javën e kaluar me akuzën e falsifikimit të dokumenteve dhe mashtrimit me pasoja të rënda në dëm të pesë bankave, shkruan Panorama.
Më datë 13 maj 2015, Gjykata e Tiranës e ka dënuar Paulin Alinë me 20 vjet burg për akuzat e “mashtrimit”, “mashtrimit me kredi” dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale”. Vendimi në fjalë është dhënë në mungesë të Paulin Alisë, si person i pandehur në proces, dhe ende nuk është apeluar.
Sipas të gjitha gjasave, Paulin Alia në një pjesë të gjykimit ka qenë i ndaluar për një tjetër çështje, për falsifikim dhe kallëzim të rremë, por pas lirimit të tij nga ai rast, ndaj tij nuk është aplikuar ndonjë masë sigurimi.
Për rrjedhojë, Paulin Alia ka qenë i lirë deri në datën 9 shkurt 2015 kur u arrestua nga Policia e Tiranës bashkë me dy persona të tjerë me akuzën e kredimarrjes me dokumente false në gjashtë raste në Tiranë.
Arrestimet u kryen gjatë aksionit “Kredimarrësit ekspres”, ku bashkë me Paulin Alinë, 24 vjeç, ranë në pranga edhe shtetasja Elisabeta Imeraliaj, 25 vjeçe dhe Edison Nuzi, 26 vjeç. Pas arrestimit, Paulin Alia ka thënë se ka pasur favorizim nga drejtorët e bankave që kanë marrë “pjesën e tyre”, deri në 30 për qind.
DËNIMI PËR MASHTRIM
Sipas historisë së mashtrimit që përshkruhet në vendimin e dënimit me 20 vjet burg për Paulin Alinë, në rastin e parë ai ka mashtruar një qytetar dhe një bankë. Në vendim thuhet se Paulin Alia, në fillim të vitit 2012 i ka propozuar të dëmtuarit B. Ll. të hapnin një “Bar-Kafe”. Për këtë qëllim, Paulin Alia i ka treguar harta dhe planimetri të lokalit në fjalë, lokal që sipas Paulin Alisë ndodhej ngjitur me selinë e Partisë Socialiste në Tiranë. Duke qenë se propozimi i është dukur interesant nga ana ekonomike, i dëmtuari B. Ll. ka pranuar ofertën e Paulin Alisë.
Ky i fundit i ka paraqitur shtetasit B.Ll. një dokument me anë të të cilit i ka krijuar idenë se kishte marrë leje nga Bashkia e Tiranës për marrjen me qira të këtij ambienti. Për investimin dhe rikonstruksionin e lokalit, Paulin Alia i ka kërkuar B.Ll. fillimisht 4.000.000 lekë, të cilat i dëmtuari nuk i dispononte.
Për këtë ai ka aplikuar për kredi konsumatore pranë një banke, ku më datë 15 qershor 2012 ka marrë 15.000 euro ia ka dhënë Paulin Alisë. Ky i fundit i ka thënë se do të shkonte në Gjermani dhe do të blinte pajisjet e nevojshme për lokalin në fjalë. Për të mbuluar shpenzimet e udhëtimit dhe të qëndrimit, shtetasi B. Ll. i është drejtuar prapë bankës private, për të marrë një tjetër kredi në shumën 1.050.000 lekë, të cilën ia ka dhënë Paulin Alisë.
Përveç shumave të mësipërme, B.Ll. i ka dhënë Paulin Alisë edhe 700.000 lekë, si dhe nga karta e kreditit 1.000 euro.
Pas kthimit nga Gjermania, Paulin Alia i ka paraqitur të dëmtuarit një faturë 14.240 euro, sikur kishte blerë pajisjet që duheshin. Pasi pajisjet kanë vonuar, Paulin Alia ka nxjerrë justifikime të ndryshme, ndërkohë që i ka thënë të dëmtuarit se kontejneri ishte bllokuar jo për faj të tij.
Më vonë, Paulin Alia i ka paraqitur një preventiv punimesh në lokal të dëmtuarit me vlerë 3.113.760 lekë, të cilat i ka kërkuar t’i paguante, pasi do t’ia kthente më pas. “Në periudha të ndryshme kohore B. Ll. i ka dhënë hua Paulin Alisë shuma të tjera që kanë shkuar në shifrën 13.700 euro.
Në gusht 2012, Paulin Alia i ka paraqitur një kontratë qiraje të dëmtuarit B.Ll. për ta firmosur, e cila mbante datën 16.08.2012. Kontrata ka qenë e firmosur poshtë emrit të vendosur në të, Malvina Rama, e cila në kontratë pasqyrohej si sekretare e Bashkisë Tiranë.
Në dokument përmendej notere Natasha K. I dëmtuari i ka kërkuar Paulin Alisë, arsyen se përse nuk po e firmosnin këtë kontratë përpara noterit, por i akuzuari është shmangur duke i dhënë justifikime. Kontrata e qerasë mbante vulat dhe firmat e noteres dhe vulën e Bashkisë Tiranë, si dhe nënshkrimin e shtetases Malvina Rama. Në një dokument pretendohej se ishte vendosur edhe vula e kryetarit të Bashkisë.
Nisur nga çfarë ka ndodhur me shkresat në fjalë, B. Ll. ka dyshuar se dokumentet janë të falsifikuara dhe për këtë është paraqitur në Bashkinë e Tiranës, ku ka marrë dijeni se aty nuk punonte ndonjë person me emrin Malvina Rama.
I dëmtuari është takuar me Paulin Alinë, i cili është munduar ta qetësoje duke i thënë se gjithçka ishte në rregull dhe biznesi do të fillonte punë shumë shpejt. I dëmtuari ka kërkuar që Paulin Alia t’i kthente gjithë paratë që i kishte marrë, por i akuzuari e ka zvarritur e më pas i ka thënë se nuk kishte mundësi financiare. Ka rezultuar më vonë se me firmën që kishte hedhur shtetasi B.Ll., Paulin Alia kishte marrë një kredi në bankë, pa dijeninë e të dëmtuarit.
Panorama