Pas tensioneve në seancë, e djathta opozitare në Serbi protestoi kundër vendimit të presidentit Vuçiç për të pranuar propozimin europian që normalizon raportet me Kosovën. Shumë prej pjesëmarrësve e quajtën presidentin një tradhtar, ndërsa drejtuesit e dy partive opozitare, u shprehën se nuk do të lejojnë që pavarësia e Kosovës të pranohet.
“Plani franko-gjerman, sipas asaj që vetë Vuçiç ka pohuar, na kërkon ne të njohim pavarësinë e provincës sonë jugore. Ai tha se ne jemi të gatshëm të pranojmë atë plan dhe të punojmë për zbatimin e tij. Ta dini: Ne nuk jemi të gatshëm ta pranojmë atë”, deklaroi Milos Jovanovic, kreu i Partisë Demokrate të Re.
Nga ana tjetër sipas kryetarit të partisë DVERI, Bosko Obradovic, “thelbi është që presidenti i republikës po pengon Asamblenë Kombëtare, përmes mazhorancës së tij parlamentare, që të arrijë ndonjë konkluzion në këtë sesion, për ta kufizuar atë në vazhdimin e negociatave. Ai kërkon të ruaj të drejtën për të shitur Kosovën dhe të mbrojë pushtetin e tij përmes asaj shitjeje.”
/a.r