Papa Françesku është përballur me rrëfime tronditëse gjatë vizitës së tij në Kinshasa, kryeqyteti i Republikës Demokratike të Kongos, këtë të mërkurë. Ati i Shenjtë u përballë me dëshmi të viktimave të dhunës në shtetin e goditur nga krimi dhe lufta guerile.
Ndër rrëfimet, më prekëse ishte historia e një gruaje të identifikuar si Emelda. Ajo iu rrëfye Papa Françeskut se ishte përdhunuar dhe ishte mbajtur si skllave seksi, ndërsa ishte detyruar të hante edhe mish njeriu.
Tgcom shkruan se autorët e sulmeve të vazhdueshme janë kryesisht pjesë e grupit M23, për të cilin Kinshasa, OKB dhe shumë vëzhgues ndërkombëtarë besojnë se mbështetet nga Ruanda fqinje.
“Ishte mbrëmje, ditë e premte, kur rebelët bastisën fshatin tonë, Bugobe, në vitin 2005. Ata hynë në fshat, duke marrë peng këdo që mundën. Gjatë rrugës, ata vranë shumë burra, duke i qëlluar ata me armë zjarri ose thika. Ndërkohë, gratë i çuan në parkun Kahuzi-Biega. Unë isha 16 vjeç në atë kohë.
Aty më mbajtën si skllave seksi dhe më keqtrajtuan për tre muaj. Çdo ditë, pesë deri në dhjetë burra abuzonin secilën prej nesh. Ata na dhunonin me të gjitha mënyrat, madje na detyronin të hanim edhe mish njeriu. Unë arrita të shpëtoja një ditë kur më dërguan të merrja ujë në lumë”, është rrëfyer Emelda./m.j